Lajme

Nga 25 mijë në 32 mijë vende të reja të punës, “manipulimi i radhës i qeverisë me statistika”


Ilustrim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, duke u thirrur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka thënë se në tremujorin e tretë të vitit 2021 ka rreth 32 mijë vende të reja të punës, krahasuar kështu me periudhën e njëjtë të një viti paraprak.

Të dhënat e deputetit Muja janë të përditësuar, kjo pasi që për më shumë se një vit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë përmendur shifrën prej 25 mijë vendeve të reja të punës.

Megjithatë as të dhënat e prezantuar nga deputeti Muja as ato të kryeministrit e ministrit të financave nuk shpërfaqin realitetin.

Për ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, shifrat e prezantuar së fundmi nga deputeti Muja, janë “manipulim i radhës”.

Sipas tij gjatë vitit 2021 në Kosovë më shumë ka pasur formalizim të punësimit sesa vende të reja të punës.

Grafiku i prezantuar nga ana e deputetit Armend Muja.

“Në rend të parë duhet të kuptohet se në Kosovë Agjencia e Statistikave jep të dhëna të gabuara dhe për fat të keq këto të dhëna të gabuara po promovohen nga institucionet vendore, në rend të dytë në Kosovë ka pasur fare pak apo hiç investitorë të huaj dhe këtu lind pyetja se kah mund të vijnë këto vende të reja të punës”, ka thënë Gërxahliu për Albanian Post.

Statistikat e prezantuara nga deputeti Muja, në të cilën thuhet se shkalla e papunësisë në Kosovë është ulur për 6.9 për qind nën qeverisjen Kurti, sipas njohësit të fushës së ekonomisë është një tentim i një marketingu politik i cili në të ardhmen do të shpërfaq një efekt negativ.

“Sot më shumë dominon një agjendë politike se sa ajo ekonomike dhe sociale. Përmes dhënave të tilla po tentohet të promovohet suksesi i qeverisë – se kinse kemi rezultatet të mira e performancë institucionale, mirëpo indikatorët janë mjaft shqetësues dhe në këtë drejtim nuk ka zgjidhje të problemit pa u ballafaquar me problemin”, ka shtuar ai për AP.

Safet Gërxhaliu

As asaj që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ishte referuar si hapje të 25 mijë vendeve të reja të punës në Kosovë gjatë mandatit të tij, nuk është se i kishin besuar njohësit e çështjeve të ekonomisë në vend.

Një gjë e tillë, sipas tyre, ishte formalizim i ekonomisë, por jo edhe 25 mijë vende ekskluzivisht të reja të punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore