Biznes

Netflix raporton 1.4 miliardë paund të ardhura për vitin e kaluar


Netflix ka zbuluar të ardhurat vjetore nga abonentët në Mbretërinë e Bashkuar 1.4 miliardë paund për të parën herë pasi ndryshoi praktikat e kontabilitetit.

Një lëvizje kjo e fundit që rezultoi në një rritje të madhe në pagesën e taksës së korporatës në pothuajse shtatë milionë paund.

Biznesi kryesor i Netflix-it në MB raportoi një rritje prej 1,630 për qind të të ardhurave, nga vetëm 79 milionë paund në vitin 2021.

E gjitha pasi transmetuesi braktisi praktikën e kritikuar gjerësisht të kanalizimit të të ardhurave britanike përmes juridiksioneve të tjera evropiane me taksa më të ulëta.

Lëvizja për të rialokuar të gjitha të ardhurat nga 13.8 milionë abonentët e vet në MB te filialet britanike nxiti pothuajse trefishim të fitimeve para taksave nga 10.6 milionë në 27.9 milionë paund në Netflix Services UK.

Vitin e kaluar, Netflix pagoi thuajse shtatë milionë paund taksë të korporatës në MB për fitimet totale prej 31.7 milionë paund në të tre bizneset që ka regjistruar në vend.

Ndryshe, shuma më e madhe që ka paguar që nga fillimi në MB në vitin 2012. Është pothuajse dyfishi i katër milionë paund të paguar ne vitin 2020.

Netflix-i, në nëntor 2020, u zotua të fillojë të deklarojë të ardhurat nga abonentët britanikë çdo vit nga viti 2021.

Llogaritë e fundit të Netflix-it tregojnë shkallën e zgjerimit të operacionit të kompanisë në MB, qendra më e madhe e prodhimit jashtë SHBA-ve, me numrin e punonjësve që u rritën 44 për qind në 396 vitin e kaluar.

153 punonjësit në Netflix Services UK morën pagë mesatare prej 24 mijë e 830 paund vitin e kaluar, pasi kostot e stafit u rritën nga 25 milionë në 37 milionë paund.

Kurse Netflix Studios në MB e rriti numrin e punonjësve nga 160 në 225.

Kostoja prej 59.5 milionë paund në staf është e barabartë me një pagë mesatare prej 264 mijë paund.

Ndërsa subjekti i tretë, Netflix Productions, punëson vetëm 18 persona dhe kishte kosto stafi prej 2.17 milionë paund vitin e kaluar.

“Mbretëria e Bashkuar ka një nga industritë kryesore të filmit në botë, prandaj ne investojmë më shumë në prodhim këtu se kudo jashtë Amerikës së Veriut”, ka treguar një zëdhënës i Netflix-it.

Sipas tij, vitin e kaluar kompania ka shpenzuar mbi një miliard dollarë, duke krijuar mijëra vende pune dhe duke bërë seriale dhe filma të klasit botëror në çdo cep të vendit.

“Ne jemi të përkushtuar të investojmë në komunitetin krijues të MB-së, duke kapërcyer hendekun e aftësive dhe duke krijuar vende pune me cilësi të lartë”, ka shtuar ai.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore