Lajme

Netanyahu pritet të flasë në telefon me Putin-in këtë mbrëmje


Gazetari politik për Axios, Barak Ravid zbuloi në median sociale “X” se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të telefonojë presidentin rus Vladimir Putin, për herë të parë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

“Netanyahu pritet të flasë në telefon me Putinin këtë mbrëmje. Kjo do të jetë biseda e parë mes të dyve që nga fillimi i luftës”, shkruan Ravid duke cituar një zyrtar të lartë në Kryeministrinë izraelite.

Putin qëndroi i heshtur për konfliktin për tre ditë, duke mos i ofruar ngushëllime Tel Avivit dhe duke mos telefonuar Netanyahu-n – edhe pse të paktën katër shtetas rusë u raportuan të vrarë dhe gjashtë të tjerë u zhdukën.

Ndërkohë, qëndrimi i Rusisë këtë javë nuk e lejoi Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të arrinte unanimitetin e nevojshëm për të dënuar Hamasin.

Së fundi, të martën, Putin theu heshtjen e tij – vetëm për të dënuar vdekjet “katastrofike” të civilëve dhe për të kritikuar hapat e Washington-it në zgjidhjen e paqes në Lindjen e Mesme.

“Ky është një shembull i gjallë i dështimit të politikave të Lindjes së Mesme të Shteteve të Bashkuara [pasi ajo u përpoq të monopolizonte zgjidhjen [paqes]”, tha ai gjatë një takimi televiziv me kryeministrin irakian Muhammad Shia al-Sudani.

“Por, për fat të keq, [Shtetet e Bashkuara] nuk ishin të shqetësuara për kërkimin e kompromiseve për të dyja palët dhe, anasjelltas, promovuan konceptet e tyre se si duhet bërë, [dhe] u bënë presion të dyja palëve”, shtoi presidenti rus.

Moska gjithashtu refuzoi të listonte Hamasin si një organizatë “terroriste” pas hapave të ngjashëm të ndërmarrë nga Franca dhe Bashkimi Evropian në fillim të kësaj jave.

“Ne mbajmë kontakte me [të dyja] palët e konfliktit”, u tha gazetarëve të mërkurën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. “Sigurisht, Rusia vazhdon të analizojë situatën dhe mban pozicionin e saj si një komb që ka potencial për të marrë pjesë në procesin e zgjidhjes”.

Të hënën, Zelenskyy tha se Rusia ishte “e interesuar për të shkaktuar një luftë në Lindjen e Mesme, në mënyrë që një burim i ri dhimbjesh dhe vuajtjesh të mund të minonte unitetin botëror, të rriste mosmarrëveshjet dhe kontradiktat dhe kështu të ndihmonte Rusinë të shkatërronte lirinë në Evropë”.

“Ne shohim propagandistët rusë të gëzuar”, tha ai në një video-adresim. “Ne shohim miqtë iranianë të Moskës që mbështesin hapur ata që sulmuan Izraelin. Dhe e gjithë kjo është një kërcënim shumë më i madh nga sa e percepton bota aktualisht. Luftërat botërore të së kaluarës filluan me agresione lokale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore