Film

“Nëntori i ftohtë” bëhet pjesë e platformës Netfilx


“Nëntor i ftohtë”, prodhim kinematografik i Kosovës, është bërë pjesë e platformës botërore Netflix për pesë vite.

Ka qenë regjisori, Ismet Sijarina, ai që e ka dhënë lajmin.

“Të dashur miq, kam kënaqësinë t’ju njoftoj se duke filluar nga sot më 26 nëntor dhe për pesë vitet e ardhshme, do të keni mundësi të shihni filmin tonë ‘Nëntori i ftohtë’ në Netflix International dhe Netflix Europe”, ka thënë ai.

Paçka se zyrtarizimi i marrëveshjes u bë tani, palët ishin dakordësuar që prej gushtit të vitit të kaluar.

Sipas regjisorit Sijarina, kjo marrëveshje e arritur me Netflix-in ka qenë një proces i gjatë dhe i lodhshëm.

“Gjatë gjithë verës 2021 kemi punuar intensivisht në këtë marrëveshje dhe e kemi nënshkruar në fund të gushtit 2021, por nuk kemi guxuar ta publikojmë deri në ditën e premierës në Netflix”, ka treguar ai.

Ngjarja është e vendosur në Kosovë.

Bëhet fjalë për një histori familjare, bazuar në ngjarje të vërteta, në një kohë të turbullt të fillimviteve ‘90.

Nën masat e ashpra të autoriteteve serbe në të gjithë aspektet e jetës, punëtorët shqiptarë u detyruan të firmosnin një përbetim, ku e pranonin Serbinë si shtetin e tyre.

Por të gjithë ata që e firmosën u privuan nga puna, humbën vendin e punës, sigurimet shëndetësore, fondet për fëmijët e tyre, pasuritë e tyre të patundshme.

Premiera e “Nëntorit të ftohtë”, me skenar të Ismet Sijarinës dhe Arian Krasniqit, është dhënë në San Sebastian në vitin 2018.

Filmi është prodhim i “Thumbs Up” dhe “Buka” në bashkëprodhim me “Albasky Film”, “Audiohaus” dhe “Ikone”.

Sakaq, ai është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.

“Nëntor i ftohtë”, në tetorin e vitit 2018, ka fituar Çmimin e Audiencës në Zürich Film Festival. Kurse në vitin 2020, aktorja Adriana Matoshi, ka fituar Çmimin Aktorja më e Mirë, në Festivalin e Francës, “See a Paris 2020”.

Po ashtu në film luajnë edhe aktorët Kushtrim Hoxha, Emir Haxhihafizbegoviq, Gordana Boban, May-Linda Kosumovic dhe Lum Veseli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore