Shqipëria

Nënshkruhet Programi Vendor i Punës së Denjë 2023-2026, e pranishme Ibrahimaj


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Programit Vendor të Punës së Denjë 2023-2026.

Ky program u nënshkrua mes qeverisë shqiptare, organizatave të punëdhënësve, punëtorëve dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), e përfaqësuar nga Zyra Ndërkombëtare e Punës me qëllim bashkëpunimin për të promovuar dhe avancuar punën e denjë në Shqipëri.

Në fjalën e saj, Ibrahimaj vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe OKB dhe mbështetjen që kanë dhënë për qeverinë shqiptare, sidomos sa i përket politikave të punësimit.

“Dokumenti është në linjë me dokumentet paraardhëse dhe Strategjinë Kombëtar të Punësimit, ku tre nga objektivat e saj lidhen ngushtësisht me punën e denjë: Përmirësimi i efikasitetit të inspektimit në punë, Promovimi i dialogut social në tregun e punës dhe Përmirësimi i politikave për punësimin e denjë”.

Ibrahimaj theksoi rëndësinë e dialogut social, ku bashkëpunimi me biznesin ka një rol kryesor, ndërsa shtoi se Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përfshirë biznesin në proceset e vendimmarrjes për politikat e punësimit.

“Është një projekt që do të angazhojë fonde të qeverisë shqiptare dhe të Bashkimit Evropian dhe ka në fokus edhe komponentin e punës së denjë, pasi nuk është e rëndësishme vetëm që të kesh një vend pune, por është e rëndësishme që ajo punë të jetë e duhura që të garantojë një jetë të denjë, jo vetëm për ato të rinj të cilët i kanë të gjitha mundësitë për tu punësuar, por edhe për grupet vulnerabil”.

Nga ana e saj, Koordinatorja Rezidente e OKB në Shqipëri, Fiona Mccluney, shprehu gatishmërinë e OKB dhe ILO për të mbështetur Shqipërinë në përballimin e sfidave që lidhen si me ekonominë, ashtu edhe tregun e punës.

“Programi për Punën e Denjë është tërësisht i harmonizuar me kornizën e bashkëpunimit për zhvillimin e qëndrueshëm të OKB nëpërmjet prioriteteve strategjike të saj që qëndrojnë në themel të bashkëpunimit të OKB në Shqipëri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore