Lajme

Nënshkruhet marrëveshje mbi 25 milionë euro për KOSTT-in


Nënshkrimi i marrëveshjes për KOSST-in, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.

Mbi 25 milionë euro është nënshkruar marrëveshja mes KOSTT-it dhe Ministrisë së Financave, për projektin “Zhvillim i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit”.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka sqaruar para gazetarëve se në cilat projekte do të investohen këto mjete.

“Sot po e nënshkruajmë marrëveshjen e nën huazimit të KOSTT në vlerë prej 25.5 milion euro, pra janë mjete që do të investohen në rrjetin e transmisionit për përmirësimin e tij. Konkretisht me anë të këtij projekti do të bëhet rehabilitimi, zgjerimi dhe modernizimi i rrjetit të transmisionit si dhe do të investohet edhe në shërbimet e konsulences dhe inxhinierisë përkatëse”.

Ai tutje tha se do të forcohet edhe ndërmarrja publike.

“Projekti parasheh investime në zëvendësimin e nënstacioneve të linjave kyçe të tensionit për operim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit të transmisionit dhe më e rëndësishme është që vazhdon të ulet edhe niveli i humbjeve, që megjithatë janë të vogla aktualisht, por rritet efiçienca e rrjetit të transmisionit dhe kësisoj përmirësohet edhe performanca e ndërmarrjes publike”, tha Murati.

Ndërsa theksoi se zhvillimi i sektorit të energjisë është prioritet kyç për qeverinë.

Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Matthias Conrad, është shprehur i lumtur me arritjen e kësaj marrëveshje duke thënë se përmirësimi i klimës në sektorin e energjisë është “një fushë prioritare” e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Përmirësimi i klimës është një fushë prioritetet e bashkëpunimit të Gjermanisë me Kosovën. Qeveria Gjermane është e zotuar për këto ndryshime që kanë arritur vlerën 222 milionë euro. Ky projekt do të kontribuoj në rritjen e përqindjes së energjisë në Kosovë dhe investimet e tilla në rrjetin e transmisionit të Kosovës janë kruciale për integrimin e Kosovës në tregun e rrymës të rajonit evropian”.

“Me këtë marrëveshje përfshihen investime prioritet siç është përmirësimi i sistemit të telekomunikimit, ndërtimit në stacionet tjera në Dragash, dy në stacionin në Ferizaj, ndërtimi i 110 kW dhe linja me kufirin me Shqipëri si dhe instalimin e transformatorëve të energjisë në disa stacione në Kosovë”.

Sipas tij, ky projekt do të kontribuoj në uljen e nivelit të energjisë, efikasitetin dhe përmirësimin e furnizimit me rrymë dhe integrimin e tregut kosovarët e energjisë në tregun evropian të energjisë.

Në muajin dhjetor, qytetarët e Kosovës, janë ballafaqur me çmime të larta të energjisë elektrike.

Nga kompania përgjegjëse KESCO u arsyetuan duke thënë se është rritur si pasojë e “shpenzimit më të madh të rrymës”, por kjo rezulton të mos jetë e vërtetë, sepse shumë veta kanë dëshmuar që kanë shpenzuar edhe më pak dhe po paguajnë trefish nga muaji i kaluar, apo krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore