Kosova

Nënkryetari i Gjykatës së Mitrovicës thërret në takim gjyqtarët serbë


Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

As mëngjesin e të hënës, një pjesë e gjyqtarëve të komunitetit serb nuk janë paraqitur në punë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Nënkryetari i kësaj gjykate, Bekim Veliqi, pritet që gjatë ditës të mbajë takim me këta gjyqtarë.

Ndërsa në javën e kaluar, në gjykatë janë paraqitur një numër i vogël i gjyqtarëve serbë, për të proceduar me rastet e natyrës urgjente, bën të ditur “Betimi për Drejtësi”.

Stafi mbështetës i gjyqtarëve serbë janë paraqitur në punë që nga dita e dytë e bojkotimit të punës.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç.

Nënkryetari Veliqi, ka bërë të ditur se një numër i gjyqtarëve serbë që nuk po paraqiten në punë kanë marrë pushime vjetore, njëri nga ta është në pushim mjekësor, dy gjyqtare të këtij komuniteti janë të angazhuara në Gjykatën e Apelit – dega në Mitrovicë, ndërsa një gjyqtar është i angazhuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Që nga 25 marsi, i gjithë personeli i zyrtarëve serbë dhe të gjithë politikanët serbë janë larguar nga institucionet e Republikës së Kosovës, derisa nuk kthehet prapa vendimi për suspendimin e gjykatëses serbe.

Gjyqtarët e komunitetit serb nuk janë paraqitur në punë që nga 25 marsi, pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviç.

Bojkotimi i punës nga ana e gjyqtarëve të komunitetit serb erdhi pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin 24 marsit 2022, ka marrë vendim që ta suspendojë kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Stevanoviç.

Suspendimi i saj është bërë pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore