Lajme

Nënkryetares së Zveçanit i digjen dy lokale: Zjarri ishte i qëllimshëm


Ilustrim

Në orët e para të së premtes, nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniç, i janë djegur dy lokale në qendër të Komunës së Zveçanit.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se Tomaniç ka thënë se dyshon se zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona të dyshuar.

“Lidhur me rastin ankuesja dyshon se zjarri i është vënë qëllimshëm nga persona të dyshuar. Sipas ankueses, vlera e dëmit është e lartë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.

Për rastin në fjalë është deklaruar edhe zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, i cili situatën e ka cilësuar si tentim i kotë për t’i frikësuar “serbët e çliruar nga thundra e terroristëve të Listës Serbe”.

“Kjo vije një muaj pas bllokimit të paligjshëm të biznesit të familjes së zëvendëskryetares së Mitrovicës Veriore Katarina Adzançiç nga regjimi i Vuçiç-it dhe dy muaj pas djegies së veturës së kryesuesit të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, Gorski Buriç”.

Terroristët dhe banditët, sipas Vokrrit, ndihen të trimëruar sa herë që ndërkombëtarët i kërkojnë Kosovës të heqë dorë nga sovraniteti dhe zbatimi i ligjit.

Ndryshe javë më parë të ashtuquajturës zyrtare të Komunës paralele në Leposaviq i është djegur makina, kanë raportuar mediat serbe me seli në Kosovë.

Makina është vënë në flakë ndërsa ajo ka qenë e parkuar jo larg shkollës së mesme në Komunën e Leposaviqit.

Në veturë, siç raporton Kosovo Online, janë shkaktuar dëme të mëdha materiale, ndërsa nga zjarri janë dëmtuar edhe dy automjete të tjera.

Banorët që jetojnë aty pranë, i kanë thënë Kosovo Online, se Policia e Kosovës dhe Zjarrfikësit kanë arritur në vendin e ngjarjes shumë shpejt.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, kishte potencuar se ende nuk janë të qarta motivet e zjarrvënies.

Digjet vetura e zyrtares së komunës paralele në Leposaviq

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore