Shqipëria

Në vendngjarje nuk gjenden gëzhoja, ndryshe nga denoncimi i efektivit në Kurbin se u qëllua


Policia e Kurbinit ka reaguar për ngjarjen mbi të cilën ka kryer denoncimin polici 23-vjeçar Dhurim Metko.

Sipas denoncimit të tij, mbrëmjen e 11 dhjetorit, kur ka dalë nga shtëpia për në punë ka parë në rrugë dy persona të armatosur, të cilët sapo e kanë parë kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.

Punonjësi i Policisë është kundërpërgjigjur, duke qëlluar nga brenda automjetit të tij, me armën e shërbimit.

Por sipas Policisë, në vendngjarje nuk konstatohen gëzhoja, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi i Policisë:

“Rreth orës 21:00, të mbrëmjes së kaluar, punonjësi i Policisë, shtetasi Dh. M., 23 vjeç, banues në Laç, me detyrë inspektor i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lezhë, ka kallëzuar se sapo ka dalë nga banesa, për në punë, me automjet privat, ka parë në rrugë, në vendin e quajtur Rruga e Sanxhakut, 2 shtetas të armatosur, të cilët sipas dëshmisë së 23-vjeçarit, sapo e kanë parë atë, kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër”.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, si dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të fiksuar çdo provë qe do të çojë në sqarimin e rrethanave dhe të mekanizmit të ngjarjes, si dhe në zbardhjen e së vërtetës mbi këtë rast.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se është dëmtuar automjeti i punonjësit të Policisë, nga qitjet me armë zjarri të kryera nga vetë punonjësi, nga brenda automjetit”, sipas Policisë.

Dhe se , në vendngjarje nuk janë konstatuar gëzhoja, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi i Policisë.

“Me qëllim hetimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të tij, te grupi i posaçëm hetimor është përfshirë dhe struktura vendore e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, njofton Policia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore