Lajme

Në Uashington Konjufca takon disa përfaqësues të shteteve mosnjohëse


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili gjendet në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar disa zyrtarë të lartë shtetërorë të cilët nuk e kanë pranuar ende shtetësinë e Kosovës.

Në margjina të Samitit të Dytë për Demokraci që po mbahet në Uashington, kryekuvendari ka zhvilluar takime, siç i ka quajtura ai të frytshme, me kryetarë të parlamenteve, deputetë, zyrtarë të lartë dhe personalitete nga Kenia, Gambia, Armenia, Gana, Zambia, Liberia dhe Kosta Rika, disa prej tyre shtete jonjohëse të Republikës.

“Potencova progresin demokratik të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin institucional në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian dhe në NATO. Me përfaqësues të këtyre shteteve biseduam për rolin e parlamenteve tona në ndërtim dhe intensifikim të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”.

Konjufca gjatë takimit ka theksuar përkushtimin e Kosovës për kultivimin e miqësisë, zhvillimin e modaliteteve për bashkëpunim në të ardhmen dhe avancimin e raporteve ndërshtetërore me qëllim forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Në mesin e shteteve, përfaqësuesit e të cilëve i ka takuar Konjufca, janë Kenia, Armenia dhe Zambia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore