Shqipëria

Në Shqipëri, diplomat nuk përputhen me tregun


Shqipëria është një ndër vendet, e cila sipas Bankës Botërore, ka boshllëqe në përputhjen e nevojave që ka tregu i punës dhe aftësive të të diplomuarve për t’u përshtatur.

Aftësitë e të diplomuarve nga arsimi profesional dhe i lartë shpesh janë të përafruara keq me nevojat.

Këtë, e pohon edhe ish-zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Olti Rrumbullaku.

Në një prononcim të dhënë për Albanian Post, ai deklaroi se mospërputhja e aftësive mes kërkesave të tregut dhe ofertave të sistemit arsimor, mbetet e konsiderueshme.

“Një nga aftësitë që kishte më shumë kërkesë përpara pandemisë ishin njohuritë digjitale dhe profesionet e lidhura me to”, reflekton Rrumbullaku rreth situatës.

Sipas tij, politikat për zhvillimin e kompetencave digjitale janë përmirësuar, pavarësisht se universitetet nuk kanë reaguar me ndryshime të kurrikulave, apo përshtatjes me kërkesat e tregut.

“Kjo gjithsesi”, siç shpjegon Rrumbullaku, “është plotësuar me oferta të tjera nga ofruesit e kurseve profesionale, të cilët tashmë po mbështeten në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Programi i Kodimit. Po ashtu ka edhe disa politika të tjera të ndërhyrjes në arsimin parauniversitar”.

Një problem, që cek ish-zëvendësministri, ka të bëjë me arsimin dhe kalimin te punësimi.

“Kryesisht të diplomuarve në sistemin e arsimit të lartë dhe ata në arsimin e përgjithshëm parauniversitar, u mungon lidhja me shërbimet publike të punësimit”.

Nga ana tjetër, siç ai përsiat ndërhyrjet për aftësitë e tjera kanë qenë më të pakta.

“Ka përpjekje të konsiderueshme, të mbështetura edhe nga komuniteti ndërkombëtar për arsimin profesional, por këto ndikojnë vetëm një pjesë të vogël të nxënësve që janë kandidatë për punësim”.

Në raportin e Bankës Botërore bëhet gjithashtu me dije se rezultatet PISA të OECD-së dhe vitet e shkollimit të përshtatura sipas të nxënit, sugjerojnë se nënrajonet dhe vendet ku përmirësimet në cilësinë e arsimit bazë nevojiten më shumë janë Azia Qendrore (Kazakistani, Republika Kirgistan, Taxhikistani dhe Uzbekistani); Kaukazi i Jugut (Azerbajxhani dhe Gjeorgjia); Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut); dhe në Evropën Lindore, Bullgaria dhe Rumania.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore