Lajme

Në Serbi besojnë se Vuçiç po fsheh diçka – “ai e ka arritur një pajtim me Kurtin”


Foto nga Albanian Post

Në konferencën e djeshme për media të Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç – e paralajmëruar me shumë pompozitet – nuk u prezantua megjithatë një zgjidhje e krizës së Kosovës dhe parandalim përfundimtar i një shpërthimi të konfliktit në veri më 1 shtator.

Masat reciproke të qeverisë së Kosovës do të hyjnë në fuqi sa i përket targave, dhe disa analistë të gazetës serbe Danas, mendojnë se Vuçiç po fsheh diçka dhe se nuk ka treguar historinë e plotë se çfarë ka ndodhur në Bruksel.

Kujtojmë, se para konferencës për media ai ka mbajtur një takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

“Ka dallim mes takimeve të mëparshme mes presidentit Vuçiç dhe serbëve të Kosovës, si dhe konferencave për media pas bisedimeve ‘të vështira’ në Bruksel dhe atyre të sotme. Së pari, takimi me serbët e Kosovës ishte i shkurtër dhe efikas pa shumë detaje, ndërsa konferenca, edhe pse pasoi bisedimet ku nuk u pajtuan për asgjë, nuk ishte aq teatrale dhe patetike si të mëparshmet”, tha Marko Jakshiç, avokat nga Mitrovica, për Danas.

Jakshiç shtoi se nga performanca e Vuçiç-it, krijohet përshtypja se ata (Kurti dhe Vuçiç) vërtet u pajtuan për diçka në Bruksel dhe se ai mori mbështetjen e serbëve nga Kosova për të arritur ndonjë marrëveshje në dhjetë ditët e ardhshme.

Në përgjithësi nuk është e pamundur të ndodhë diçka e tillë, të arrihet ndonjë marrëveshje kompromisi, e cila si rregull deri tani ka qenë në dëm të Kosovës.

“Nëse, siç thotë Vuçiç, Kurti ka qenë kategorikisht kundër të gjitha propozimeve për tabelat dhe dokumentin e hyrje-daljeve, ka shumë mundësi që në ditët në vijim të jetë nën presionin e diplomatëve evropianë dhe amerikanë. Fatkeqësisht, serbët nga veriu i Kosovës më duket se nuk i kanë dëgjuar përgjigjet për atë që i shqetëson, gjë që ndodh nëse Kurti në mënyrë të njëanshme dhe me forcë fillon të zbatojë vendimet e 1 shtatorit, aq më tepër që vërehet se Policia e Kosovës ka zgjeruar terrenin e tyre në veri, me ndalesat ditore”, thekson bashkëbiseduesi i Danas.

“U përmend edhe largimi nga institucionet, por vetëm në shtator, lëvizje e cila tashmë është përdorur shumë herë dhe sigurisht që është vonë. Për ta përmbledhur, dukej si një shfaqje e re për të mashtruar popullin. Kam frikë se në fund serbët do të mbeten pa targa, por do të fitojë lideri, sepse edhe një herë e ruajti paqen. Dhe kjo paqe do të jetë shumë e shtrenjtë. Si çdo paqe në dhjetë vitet e fundit, pasojat e së cilës janë më të këqija se lufta. Njerëzit largohen nga këtu çdo ditë, masivisht”, përfundoi Marko Jakshiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha dje pas një takimi me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova se “mesazhi kryesor është se sido që të jetë, kolonat e refugjatëve nuk do të ekzistojnë”.

“Ne do ta shpëtojmë popullin tonë nga persekutimi dhe masakrat”, tha ai.

Presidenti i Serbisë po ashtu tha se “çdo lloj aktiviteti i inteligjencës në veri të Kosovës është intensifikuar”.

Në takim, shtoi Vuçiç, serbët nga Kosova e mbështetën udhëheqjen që të “kërkojë një zgjidhje kompromisi në dhjetë ditët e ardhshme”.

Edhe Sofija Popoviç, gazetare e portalit “European Ëestern Balkans”, tha se edhe pas premtimit të Vuçiçit ndaj kombit, i cili u shpall në fjalimin “më të rëndësishëm ndonjëherë”, nuk dihet gjëja kryesore – çfarë do të bëjë Serbia deri më 1 shtator, kur masat në targa duhet të fillojnë dhe dokumentet hyrëse/dalëse.

“Ajo që presidenti i Serbisë konfirmoi zyrtarisht është diçka që dihej deri diku tashmë: se Prishtina nuk dëshiron më të negociojë këto masa, sepse është diçka për të cilën është rënë dakord në marrëveshjet e mëparshme me Beogradin; dhe se bashkësia ndërkombëtare mbështet zbatimin e masave si të tilla. Kështu, në fjalimin javor mund të dëgjonim një qëllim mjaft të përgjithshëm, që është ruajtja e paqes dhe stabilitetit dhe parandalimi i pogromit të serbëve në Kosovë” tha bashkëbiseduesja e Danas.

Ajo shtoi se Presidenti i Serbisë ka paralajmëruar skenarin më të keq të mundshëm, që gjithçka që ndodh në dhjetë ditët e ardhshme, që është më pak se pogromi i serbëve, të prezantohet nga Beogradi zyrtar si fitore diplomatike.

“Se do të jetë kështu, mund të lexohet nga rezultatet e takimit të presidentit me krerët e Listës Serbe, të cilët dukej se kishin të vetmen garanci se nuk do të kishte pogrom”.

Kurse Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, në një deklaratë për Danas tha se është e qartë se Vuçiç është nën presion të madh nga të dyja palët – Rusia dhe Perëndimi.

“Kjo mund të shihet në performancën e tij. Rusët ndoshta po e shtyjnë atë në sjellje më radikale. Perëndimi e ka lexuar atë dhe tani një lloj marrëveshje finale po përgatitet. Ata nuk do të lejojnë Beogradin dhe Moskën të destabilizojnë pjesën jugore të Evropës. Gjithçka duhet parë në një kontekst më të gjerë”, tha Biserko për Danas.

Për atë që ndodhi gjatë negociatave në Bruksel ditët e kaluara, Vuçiç tha se “vetë shqiptarët vendosën të kryejnë veprime të njëanshme”.

“Shqiptarët, askush nuk e kupton pse, vendosën të kryejnë veprime të njëanshme dhe për këtë kanë marrë gjithmonë mbështetjen e Shteteve të QUINT-it”, deklaroi Vuçiç.

Sipas Vuçiçit, gjithçka që ka propozuar pala serbe në fund nuk është pranuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore