Lajme

Në Serbi ankohen për dënimin me burg të Todosijeviç – “u tentua të njolloset populli serb”


Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç

Në Serbi janë nervozua shumë për dënimin me dy vjet burgim të deputetit të Listës Serbe dhe ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL) Ivan Todosijeviç.

Gjykata e Apelit e vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore se Todosijeviç kishte kryer veprën penale të “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, kur kishte deklaruar, pos tjerash, se “Masakra e Reçakut ishte trillim” dhe se ishin “terroristët shqiptarë që e trilluan”.

Por, si zakonisht, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, e ka konsideruar dënimin e formës së prerë si “agresion ndaj serbëve”.

“Prishtina u përpoq t’i vinte një njollë të zezë jo vetëm Ivan Todosijeviç-it, por edhe tërë popullit serb”, ka thënë ai për Radio Televizionin e Serbisë.

“Një burrë dënohet të shkojë në burg për dy vjet vetëm sepse tha të vërtetën, është absolutisht e papranueshme”, vazhdon komenti i tij.

Procesi gjyqësor

Deklarata e serbit kishte bërë që Prokuroria Speciale ta akuzojë atë për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Todosijeviç më pesë dhjetor 2019 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më dy vjet burgim efektiv, i cili dënim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Me vendimin e shkallës së dytë, dënimi me burgim tashmë është bërë i formës së prerë.

Në nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (paragrafi 3.6) përcaktohet që mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Në këtë mënyrë, dënimi i formës së prerë prej dy vitesh do të ndikojë që Todosoijeviq me automatizëm ta humbet mandatin e tij aktual si deputet.

Në anën tjetër, ulësen e tij pritet ta zë deputetja e Listës Serbe Dragana Antoniejeviç.

Kjo pasi që, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti, Antoniejeviç është deputetja me më së shumti vota. Ajo, në zgjedhjet e fundit kishte siguruar 6 mijë e 919 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore