Lajme

Në raportin e Bankës Botërore, Kosova e 34-ta – bie për dy vende


Banka Botërore

Në raportin e Bankës Botërore “Gratë, Biznesi dhe Ligji 2022”, Kosova është renditur e 34 ta, duke rënë për dy vende krahasuar me raportin e kaluar ku ishte e renditur e 32-ta.

Republika e Kosovës ka marrë 91.9 pikë nga gjithsej 100 të mundshme me vlerësim maksimal në gjashtë nga tetë fusha, thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovë të Bankës Botërore.

Në tetë fusha që ndikojnë në pjesëmarrjen ekonomike të grave është i bazuar raporti i Bankës Botërore, si Lëvizshmëria (kufizimet në lirinë e lëvizjes), Vendi i punës (ligjet që ndikojnë në vendimet e grave për të punuar), Pagesa (ligjet dhe rregulloret që ndikojnë në pagën e grave).

Gjithashtu fusha të tjera janë Martesa (kufizimet ligjore në lidhje me martesën), Prindërimi (ligjet që ndikojnë në punën e grave pas shtatzënisë), Ndërmarrësia (kufizimet ndaj grave për të filluar dhe menaxhuar biznese), Pasuria (dallimet gjinore në pronë dhe trashëgimi), dhe Pensioni (ligjet që ndikojnë në masën e pensionit të gruas).

Prindërimi dhe Pensioni, janë dy fusha që kërkohet ende reforma, thotë vlerësimi i raportit të Bankës Botërore.

“Gratë, Biznesi dhe Ligji 2022“ është i teti në një seri raportesh vjetore që matin ligjet dhe rregulloret që ndikojnë në mundësitë ekonomike të grave në 190 ekonomi.

Banka Botërore

Gruaja, Biznesi dhe Ligji parashtron reformën drejt barazisë gjinore dhe nxjerr në pah rrugën drejt një bote më të barabartë dhe më të begatë.

Këtë vit, raporti përfshin gjithashtu kërkime të rëndësishme pilot mbi kuadrin ligjor që lidhet me disponueshmërinë, përballueshmërinë dhe cilësinë e kujdesit për fëmijët, si dhe rezultatet paraprake të përpjekjeve pilot për të ekzaminuar zbatimin e ligjeve të matura nga treguesit Gratë, Biznesi dhe Ligji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore