Shqipëria

Në pranga përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave për ryshfet


Në Tiranë, përgjegjësja dhe specialisti i Agjencisë së Barnave kanë rënë në prangat e policisë pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe ryshfet.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Farmacisti”, pas hekurave kanë përfunduar Besiana Xhelilaj dhe Luan Çiçi.

Sakaq, nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në cilësinë e punonjësve të Agjencisë së Barnave, ushtronin kontrolle në subjekte të ndryshme farmaceutike dhe duke shpërdoruar detyrën, merrnin shuma parash.

Kjo, për të mos raportuar shkeljet ligjore që kryheshin nga këto subjekte.

Ndërkohë, është shpallur në kërkim një tjetër shtetas, një tjetër specialist i kësaj agjencie.

Shtetasit e arrestuar janë B. Xh., 38 vjeçe, banuese në Tiranë, përgjegjëse e Agjencisë së Barnave dhe  L. Ç., 35 vjeç, banues në Tiranë, specialist i Agjencisë së Barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore-procedurale për këtë rast, është shpallur në kërkim shtetasi A. L., 28 vjeç, specialist i Agjencisë së Barnave.

Po ashtu vijon puna për kapjen e shtetasit A. L., si dhe për evidentimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kanë kaluar ndërkaq Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore