Shqipëria

Në pranga 42-vjeçari në Tiranë, kapet duke transportuar armë


Është finalizuar faza e tretë e operacionit policor të koduar “Transportuesi”.

Nga Policia e Shtetit bëhet me dije se është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, së bashku me krehrin e municion luftarak.

Sakaq, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, mësohet se është kapur dhe është vënë në pranga 42-vjeçari.

Më parë, në kuadër të operacionit “Transportuesi”, janë vënë në pranga dy shtetas dhe janë sekuestruar katër armë zjarri pistoleta, krehra e municion luftarak, një silenciator, dy automjete e aparate celulare.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Shqiponja, pas një punë intensive hetimore, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Transportuesi”, dhe kanë goditur një tjetër rast të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, me qëllim shitjen e tyre.

Si rezultat, në Rrugën e Kavajës u kap dhe u arrestua shtetasi M. H., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik të tij, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë, me krehër e municion luftarak, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale.

Nga verifikimet e kryera dyshohet se 42-vjeçari i arrestuar, ka siguruar armën e zjarrit, me qëllimin shitjen e saj, te persona të tjerë.

Ndërkohë, operacioni vijon.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore