Lajme

Kurti kërkon nga Scholzi “mbështetje të palëkundur” në Këshillin e Evropës


Olaf Scholz dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të hëhën, njoftoi për një bisedë telefonike që zhvilloi me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, gjatë të cilës edhe shprehu shpresën se Gjermania do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin të Evropës.

Shefi i Qeverisë së Kosovës theksoi të ketë rikonfirmuar angazhimin drejt zbatimit të obligimeve që burojnë nga Marrëveshja Bazë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë që u arrit më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës, pasuar nga dakordimi për planin e sekuncimit të marrëveshjes më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Në një telefonatë me kancelarin gjerman Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e PACE. Po ashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”.

Ndryshe, kreu i ekzekutivit kosovar, më 23 prill, zhvilloi një bisedë telefonike edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili potencoi se Franca i kushton rëndësi përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm të Kosovës drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sidomos në kontekstin e rrugës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Megjithatë, kryeministri Kurti u shpreh i bindur që Franca do të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa ndonjë parakusht tjetër. E shtetet kryesore perëndimore duan lëvizje reale, posaçërisht dërgimin e një draft-statuti për këtë mekanizëm në Gjykatën Kushtetuese përpara se Këshilli i Evropës të aprovojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore