Lajme

Në Borodyanka janë gjetur trupat e nëntë civilëve, disa me shenja torture


Trupat e nëntë civilëve, disa prej tyre me shenja torture, janë gjetur në qytetin Borodyanka jashtë kryeqytetit ukrainas Kiev.

“Këta njerëz u vranë nga pushtuesit (rusë) dhe disa kanë shenja torture. Dua të theksoj se këta njerëz ishin civilë. Ushtria ruse me vetëdije qëlloi civilë që nuk bënë asnjë rezistencë”, u shpreh kreu i policisë në rajonin e Kiev-it gjatë të mërkurës në mbrëmje.

Lajmin e bëri të ditur Agjencia Franceze e Lajmeve.

Ndërkaq, media bjelloruse “NEXTA” zbuloi detaje më herët në publikimin e saj.

Policia në rajonin e Kiev-it, sipas saj, ka gjetur dy varre të tjera në Borodyanka me trupat e nëntë banorëve, të cilët përkojnë më raportimin e AFP-së.

Efektivët gjetën trupat e dy burrave 35-vjeçarë dhe një vajze 15-vjeçare, si dhe trupat e katër burrave dhe dy grave.

Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës Irina Venediktova do të deklaronte më herët se pavarësisht pamjeve tronditëse dhe situatës në Bucha, situata me humbjet njerëzore është më e rënduar në Borodyanka.

Ndërsa forcat ruse u larguan tërësisht nga veriu i Ukrainës, presidenti Volodymyr Zelensky, foli për situatën në qytetet e çliruara nga pushtuesit.

Situata, sipas tij, shfaqet edhe më keq se sa ajo në Bucha.

Zelensky sqaroi se ka filluar tashmë heqja e inerteve të mbetura në Borodyanka.

Presidenti ukrainas dhe këshilltarët e tij, pasi panë situatën paraprake, mendojnë se skenari në këtë vend do të jetë edhe më i errët se sa ai në Bucha.

Detaje gjithsesi, mbi atë çfarë po dokumentohet aty, nuk janë dhënë ende nga zyrtarët ukrainas.

Megjithatë, Zelensky theksoi se “në terma të shkatërrimit, si infrastrukturor, ashtu edhe humbje jetësh civile, Borodyanka duket të jetë ajo më e shkatërruara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore