Lajme

Në Beograd do të ketë zgjedhje të reja


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kandidati i SNS-së për kryetar të Beogradit, Aleksandër Shapiç.

Në Beograd do të ketë zgjedhje të reja, pas atyre të 17 dhjetorit, të cilat u kontestuan nga koalicioni opozitar serb “Serbia kundër dhunës”, të cilët pretendonin se procesi zgjedhor në përgjithësi – posaçërisht në kryeqytet – ishte manipuluar nga Partia Progresive Serbe (SNS).

Vendimi për zgjedhjet e reja në Beograd është marrë nga Kryesia e SNS-së – partia e presidentit serb Aleksandër Vuçiç – pasi që kandidati i tyre, i cili u shpall fitues, Aleksandër Shapiç, nuk ka arritur që ta sigurojë shumicën në kuvendin komunal të Beogradit.

Rekomandimin që të shkohet në zgjedhje të reja, SNS-së ia ka dhënë ish-kryetari, apo kryetari de facto i saj, Vuçiç.

Vuçiç, në mëngjesin e së shtunës, ka thënë se i ka kërkuar listës zgjedhore të lidhur me SNS-në që të shkojë në zgjedhje të reja në Beograd.

“E di që e keni shumicën, mirëpo më mirë është të humbësh sesa të përsëritet situata e vitit 2008, kur Partia Demokratike dhe Socialistët kanë kryer vjedhje zgjedhore”, ka thënë Vuçiç në një konferencë për media në Presidencën e Serbisë, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Kreu serb i ka bërë thirrje qeverisë që drejtohet nga Ana Branbiç që t’i zbatojë rekomandimet e bëra nga Zyra e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE) për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), në raportin përfundimtar që u publikua para pak ditësh në lidhje me zgjedhjet parlamentare dhe pjesërisht lokale të 17 dhjetorit.

ODIHR, raportin përfundimtar për zgjedhjet në Serbi e publikoi më 28 shkurt, në të thuhet se edhe pse teknikisht të mirëadministruara dhe duke u ofruar votuesve një zgjedhje të alternativave politike, “zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë në vitin 2023, u dominuan nga përfshirja vendimtare e Presidentit, e cila, së bashku me avantazhet sistematike të partisë në pushtet, krijoi kushte të padrejta për garuesit”.

“Në përgjithësi, liritë themelore u respektuan në fushatë, por ato u dëmtuan nga retorika e ashpër, paragjykimet në media, presioni ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”, thuhet në raport.

Seanca konstitutive për Asamblenë e qytetit të Beogradit, që ishte paraparë të mbahet më 1 mars, ishte shtyrë për herë të dytë për 3 mars, për shkak të mungesës së kuorumit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore