Lajme

Zgjedhjet në Serbi u dominuan nga përfshirja e presidentit, krijoi kushte të padrejta


Ilustrim: Zgjedhjet në Serbi

Zyra e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), ka publikuar raportin përfundimtar sa i përket zgjedhjeve parlamentare dhe pjesërisht lokale – përfshirë në Beograd – në Serbi, të mbajtura më 17 dhjetor, ku kanë vënë në pah problematikat që u shoqëruan gjatë këtij procesi, dhe rolin e presidentit Aleksandër Vuçiç, në këto parregullsi.

Opozita serbe, por edhe vëzhguesit ndërkombëtar, ka kontestuar zgjedhjet, duke thënë se të njëjtat janë manipuluar nga Partia Progresive Serbe – partia e presidentit serb Vuçiç – që ka pushtetin që 10 vjet në Serbi.

Në raportin përfundimtar të ODIHR-it thuhet se edhe pse teknikisht të mirëadministruara dhe duke u ofruar votuesve një zgjedhje të alternativave politike, “zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë në vitin 2023, u dominuan nga përfshirja vendimtare e Presidentit, e cila, së bashku me avantazhet sistematike të partisë në pushtet, krijoi kushte të padrejta për garuesit”.

“Në përgjithësi, liritë themelore u respektuan në fushatë, por ato u dëmtuan nga retorika e ashpër, paragjykimet në media, presioni ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”, thuhet në raport.

Raporti i ODIHR-it ka dhënë 25 rekomandime për të mbështetur përpjekjet për t’i sjellë zgjedhjet më tej në përputhje me angazhimet e OSBE-së, si dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Rekomandimet kryesore përfshijnë rishikimin e legjislacionit për të adresuar në mënyrë efektive rekomandimet e mëparshme përmes një procesi konsultativ gjithëpërfshirës të ndërtuar mbi një konsensus të gjerë politik, por edhe prezantimin e trajnimit të detyrueshëm të standardizuar për të gjithë anëtarët e komisioneve vendore zgjedhore dhe këshillave të votimit, duke përfshirë përbërjet e zgjeruara të këtyre organeve.

“Zhvillimi dhe zbatimi i një programi në kohë, gjithëpërfshirës dhe të synuar për edukimin e votuesve, duke përfshirë të drejtat e votuesve, parandalimin e votimit në grup dhe rëndësinë e votimit me votim të fshehtë”, thuhet tutje.

“Kryerja e një auditimi kuptimplotë të regjistrave të votuesve dhe civilëve me pjesëmarrjen e palëve të interesuara; Marrja e masave për parandalimin e keqpërdorimit të detyrës dhe burimeve shtetërore dhe adresimi proaktiv i shkeljeve”, shtohet.

Ndërkaq, rekomandohet edhe zbatimi i mekanizmave efektivë të mbikëqyrjes ligjore dhe institucionale për të parandaluar frikësimin dhe presionin ndaj votuesve, “përfshirë punonjësit e institucioneve publike dhe shtetërore”

“Garantimi efektiv i pavarësisë së Autoritetit Rregullativ të Medias Elektronike dhe adresimi në mënyrë proaktive i shkeljeve mediatike të identifikuara përmes monitorimit sistematik të medias”, theksohet në raport.

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it për zgjedhjet e parakohshme parlamentare serbe filloi punën më 15 nëntor dhe qëndroi në Serbi deri më 27 dhjetor 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore