Lajme

Në ankand shitet edhe kremi nga torta e dasmës së Charles-it


Një i apasionuar pas objekteve mbretërore ka blerë pjesën e sipërme të një copë torte të martesës së Princit Charles dhe Princeshës Diana për 2 mijë e 565 dollarë në ankand, më shumë se 40 vjet pas martesës së çiftit.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se pjesa e madhe e kremit të tortës dhe pandispanjës përmban një dizajn të detajuar, të sheqerosur, të stemës mbretërore në ngjyrë ari, të kuqe, blu dhe argjendi.

Ajo iu dha Moya Smith, një anëtareje të stafit të Nënës Mbretëreshë, e cila e ruajti atë me membranë dhe e datoi më 29 korrik 1981.

Pas një vërshimi të ofertave nga e gjithë bota, pjesa e tortës iu shit të mërkurën e 11 gushtit, Gerry Layton, disa herë mbi çmimin e saj të vlerësuar.

Layton, nga Leeds-i i Anglisë, ka zbuluar se do ta shtonte copën e tortës në koleksionin e tij dhe se kjo do të ndihmonte për bamirësitë.

“Mendova se do të doja ta shtoja atë në pasurinë time, e cila do të shkojë në bamirësi pas vdekjes sime”, ka thënë ai.

Kurse Chris Albury, një specialist i kujtimeve mbretërore në Dominic Winter Auctioneers në Cirencester, ka rrëfyer se ishte i mahnitur nga numri i ofertuesve që ishin të interesuar.

Dhe se shumica e tyre ishin nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Lindja e Mesme.

Princi Charles u martua me Lady Diana Spencer në Katedralen e Shën Palit më 29 korrik 1981. Më shumë se 20 ëmbëlsira dasme u furnizuan për këtë rast nga kompani të ndryshme.

Por, ata u ndanë 11 vjet më vonë në vitin 1992 dhe u divorcuan në 1996-n. Ndërkohë, Diana ndërroi jetë në një aksident me makinë në Paris në vitin 1997.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore