Lajme

Ndryshime menstruale pas vaksinave të COVID-19?


Ilustrim

Ndryshimet në periodat dhe gjakderdhja e papritur vaginale pas marrjes së një vaksine Covid-19, duhet të hetohen për të siguruar gratë, thotë një imunologe kryesore e specializuar në pjellorinë.

Duke shkruar në BMJ(revistë mjekësore me ndikim të lartë), Dr Victoria Male, nga Imperial College London, tha se përgjigja imune e trupit ishte shkaku i mundshëm, jo ​​diçka në vaksinat.

Nuk ka dëshmi se ato kanë ndonjë ndikim në shtatzëni ose pjellori.

Rregullatori i Mbretërisë së Bashkuar ka marrë më shumë se 30 mijë raporte të problemeve të periudhës së ciklit, pas marrjes së vaksinës.

Këto përfshijnë periudha më të rënda se zakonisht, cikël të vonuar dhe gjakderdhje të papritur pas të tre vaksinave Covid-19, nga më shumë se 47 milion doza të dhëna grave në Mbretërinë e Bashkuar deri më tani.

Pas rishikimit të raporteve, Agjencia Rregullatore e Produkteve të Mjekimit dhe Shëndetësisë (MHRA) thotë se “nuk mbështet një lidhje” midis vaksinave Covid-19 dhe simptomave.

Çrregullimet menstruale janë të zakonshme, mund të shkaktohen nga shumë gjëra të ndryshme, dhe numri i grave të prekura është i ulët, thotë ajo.

Ndryshimet e periudhës janë raportuar gjithashtu nga disa gra pas infektimit me vetë virusin.

Sidoqoftë, duke shkruar në një artikull opinioni në BMJ, Dr Male thotë se “hulumtimi i fuqishëm” në raportet e problemeve të periudhës do të ndihmonte për të kundërshtuar dezinformatat rreth vaksinave.

Hezitimi i vaksinës në mesin e grave të reja nxitet kryesisht nga pretendimet e rreme se vaksinat Covid-19, mund të dëmtojnë shanset e tyre për shtatzëni në të ardhmen.

Dështimi për të hetuar plotësisht raportet e ndryshimeve menstruale pas vaksinimit ka të ngjarë të nxisë këto frikëra.

“Nëse konfirmohet një lidhje midis vaksinimit dhe ndryshimeve menstruale, ky informacion do t’i lejojë njerëzit të planifikojnë për cikle potencialisht të ndryshuara”, është shprehur Male.

Dr Male, një lektore në imunologjinë riprodhuese, tha se “informacioni i qartë dhe i besuar” ishte i rëndësishëm për gratë që mbështeten në aftësinë për të parashikuar ciklet e tyre.

Dhe ajo tha se efektet e çdo ndërhyrjeje mjekësore në menstruacionet nuk duhet të jenë “një mendim i mëvonshëm” në hulumtimet e ardhshme.

Mbrojtja më e mirë

Shkencëtarët ende nuk e kuptojnë saktësisht se si vaksinat mund të shkaktojnë ndryshime të periodave. Ato mund të lidhen me ndikimin e sistemit imunitar – i cili stimulohet nga vaksina – në hormonet që nxisin ciklin menstrual, por ato gjithashtu mund të shkaktohen nga qelizat imune që veprojnë ndryshe në mukozën e mitrës.

Vaksinat e tjera, të tilla si “HPV” ose “papillomavirusi” njerëzor, gjithashtu kanë qenë të lidhura me ndryshime të ngjashme menstruale – por ka pasur pak kërkime të kryera se si dhe pse ndodh.

Shkencëtarët pajtohen se aftësia e grave për të pasur një fëmijë nuk ndikohet nga vaksinat. Studimet tregojnë se vaksinimi nuk i ndryshoi shanset e grave për të mbetur shtatzënë natyrshëm ose gjatë trajtimit të fertilitetit. Hulumtimet mbi pjellorinë mashkullore pas vaksinave gjithashtu nuk tregojnë ndikim në cilësinë e spermës.

Dr Jo Mountfield, nënkryetare e Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve (RCOG), tha se ndryshimet në periudhat mund të jenë shqetësuese, por në përgjithësi zgjatën vetëm një ose dy cikle.

Ajo inkurajoi këdo që përjeton gjakderdhje të rëndë e cila është e pazakontë, veçanërisht pas menopauzës, të flasë me një profesionist të kujdesit shëndetësor për këshilla, por ajo theksoi se nuk kishte rrezik të dëmtimit afatgjatë.

“Nuk ka dëshmi që sugjerojnë se këto ndryshime të përkohshme do të kenë ndonjë ndikim në pjellorinë e ardhshme të një personi, ose aftësinë e tyre për të pasur fëmijë”, tha Dr Mountfield.

RCOG tha që vaksinimi ishte “mbrojtja më e mirë” kundër koronavirusit, veçanërisht nëse planifikoni një shtatzëni, sepse gratë shtatzëna të pavaksinuara janë në rrezik më të lartë për t’u sëmurë rëndë nga Covid-19, sesa gratë e tjera të së njëjtës moshë.

Ai gjithashtu bëri thirrje për më shumë kërkime se pse gratë mund të përjetojnë ndryshime në ciklin e tyre menstrual pas vaksinës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore