Lajme

Ndërsa Izraeli bombardon Gazën, rritet frika për një fatkeqësi humanitare


Më shumë se një çerek milionë banorë të Gaza-s u larguan nga shtëpitë e tyre.

Disa u përpoqën të shpëtonin nga Rripi për në Egjipt, ndërsa forcat izraelite nisën raunde të reja sulmesh ajrore në enklavë dhe shkëmbyen zjarr me militantët në Liban.

Bombardimet pas sulmit shkatërrues të së shtunës nga Hamasi – i cili vrau më shumë se 1 mijë e 200 izraelitë, kryesisht civilë – ngritën shqetësime për një krizë humanitare në përshkallëzim në Gaza.

Kjo, ndërsa përleshjet përgjatë kufirit verior të Izraelit kërcënojnë një zgjerim rajonal të konfliktit.

Shumica e më shumë se dy milionë banorëve të Rripit të Gazës nuk kanë asnjë mënyrë për të ikur nga enklava.

Me ushtrinë izraelite që ka urdhëruar një rrethim total të Gazës, furnizimet me ushqim, karburant dhe ujë nuk po arrijnë më në enklavë, duke i lënë banorët e saj në errësirë me furnizime të holluara ndërsa shpërthimet tronditin ndërtesat e tyre gjatë natës.

Nga më shumë se 260 mijë njerëz që kanë ikur nga shtëpitë e tyre, më shumë se gjysma janë strehuar në shkolla të drejtuara nga një agjenci e Kombeve të Bashkuara që u shërben refugjatëve palestinezë, tha OKB-ja herët të mërkurën. Të tjerë po kërkojnë strehim në hotele.

Ushtria izraelite të martën u bëri thirrje palestinezëve të largohen përmes një kalimi kufitar me Egjiptin, por palestinezët nuk mund të kalojnë kufirin pa një leje të veçantë.

Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, forcat izraelite kanë bombarduar vendkalimin tre herë në ditët e fundit.

Zhvendosja masive në Gaza po grumbullon presion mbi Egjiptin për të hapur kufirin e tij me Rripin për të lejuar refugjatët të largohen, duke ilustruar se si situata në Gaza dhe Izrael kërcënon të kalojë në një krizë më të gjerë rajonale.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare të SHBA-ve, Jake Sullivan tha të martën se ai diskutoi krijimin e mundshëm të një koordinatori humanitar me Egjiptin.

Qeveria e Egjiptit e mbështetur nga ushtria ka forcuar kufizimet e saj si në Gaza ashtu edhe në rajonin fqinj të Sinait të Veriut në vitet e fundit dhe nuk ka treguar gatishmëri për të pranuar një valë refugjatësh.

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 1 mijë palestinezë në Gaza që nga e shtuna, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të enklavës.

Forcat izraelite gjithashtu shkëmbyen zjarr me Hezbollahun e Libanit për të katërtën ditë radhazi të mërkurën, duke ngritur frikën se një front i dytë mund të hapet në luftë nëse lëvizja shiite e Hezbollahut vendos të hyjë në përleshje.

Ushtria izraelite tha se një raketë antitank nga Libani u lëshua drejt një poste ushtarake pranë fshatit Arab Al-Aramshe përgjatë kufirit libanez të mërkurën në mëngjes. Izraeli tha se goditi territorin libanez si përgjigje.

Hezbollahu tha se gjuajti një raketë në një automjet ushtarak izraelit në hakmarrje për një sulm izraelit që vrau tre anëtarë të grupit të hënën. Në përleshje u vra edhe një oficer ushtarak izraelit.

Përplasjet me Hezbollah-un dhe me grupet e armatosura palestineze në Liban deri më tani kanë qenë të kufizuara në shtrirje dhe brenda rregullave të gjera të angazhimit të kuptuara nga të dyja palët, thonë analistët ushtarakë.

Nëse Hezbollahu do t’i bashkohej plotësisht luftës, ajo mund të sillte katastrofë si për Izraelin ashtu edhe për Libanin.

Grupi i mbështetur nga Irani ka një milici të fuqishme luftëtarësh që janë testuar nga lufta në Sirinë fqinje dhe një arsenal raketash të afta për të goditur thellë brenda Izraelit.

Zyrtarët izraelitë kanë premtuar se ofensiva në Gaza do të jetë më e madhe dhe më e ashpër se çdo në kujtimet e fundit.

Forca Ajrore izraelite tha të mërkurën se nisi më shumë se 80 sulme ajrore që sipas saj goditën rezervat e armëve, degët e bankave të përdorura për financimin e Hamasit dhe tunelet nëntokësore të përdorura nga militantët. Forca ajrore tha gjithashtu se goditi ndërtesat e larta në Gaza.

Banorët palestinezë dhe OKB-ja thanë se sulmet vranë dhe plagosën civilë.

Ushtria izraelite ka thënë se ka një kapacitet të reduktuar për goditje precize, sepse forcat e saj janë të shtrira.

Marrë dhe përshtatur nga Wall Street Journal për Albanian Post

Mijëra të vdekur nga lufta në Gaza, ndërsa Izraeli vë në shënjestër liderët e Hamas-it

Trupat izraelite përgatitin sulm tokësor në Gaza – Numri i viktimave nga sulmi i Hamasit kalon 1200 izraelitë, 950 palestinezë të vrarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore