Shqipëria

Ndërron jetë i riu që u aksidentua nga ish-kryebashkiaku i Himarës


Shtetasi 17-vjeçar me iniciale E.H., ka ndërruar jetë tek Spitali i Traumës si pasojë e plagëve të marra pas një aksidenti në zonën e Llogarasë.

Aksidentuesi ishte Vasil Bollano, ish-kryetari i Bashkisë së Himarës.

Sipas burimeve policore, ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 në Llogara, pranë fushës së sportit, kur me mjetin tip “Benz”, Bollano aksidentoi këmbësorin në rrugë.

Më pas, Bollano u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme hetimore.

Grupi hetimor ka kryer veprimet hetimore sa i përket përplasjes dhe rrethanave të aksidentit.

Bollano përgjatë viteve, është shfaqur publikisht si një personazh me qëndrime anti-shqiptare, që prej deklaratave të para se në jug të Shqipërisë banojnë 300 mijë grekë apo deri edhe tek vendimet kur drejtonte Bashkinë Himarë, për të hequr tabelat rrugore në gjuhën shqipe e për t’i zëvendësuar ato me tabela në gjuhën greke.

Më parë, ai ka qenë edhe i dënuar me gjobë dhe gjashtë muaj burgim nga Gjykata, por më pas në apel e ktheu çështjen duke e zhbërë vendimin.

Teksa, prej kohësh, ai është president i grupit “Omonia” dhe pjesë e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila njihet edhe si partia e minoritetit grek.

Bollano e humbi në vitin 2011 kreun e Bashkisë pasi u mund nga rivali socialist, Jorgo Goro.

Teksa, në kohë, jo pak herë janë vërejtur lidhje të tija në Greqi me politikanë të ekstremit nacionalist.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore