Lajme

Ndërpriten punimet për ndërtimin e stacionit policor në Leposaviq


Foto e protestës së serbëve në Leposaviq kundër vendimit për shpronësim të disa pronave.

Që nga e mërkura e 1 shkurtit punimet për ndërtimin e një stacioni policor kufitar në fshatin Dren të Komunës së Leposaviqit janë ndërprerë.

Lajmin se punimet nuk janë duke vazhduar aktualisht, e ka konfirmuar për Albanian Post nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

“Punimet nuk janë duke vazhduar. Ato kanë filluar por firma nuk është duke punuar dje dhe sot. Ne jemi aty që të sigurohemi se nëse vazhdojnë punimet të qëndrojmë aty”, thotë Elshani për AP.

I pyetur nëse ka informacione se përse punimet janë ndaluar nga kompania e cila kishte përgjegjësi për ndërtimin e këtij stacioni, ai thotë se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) duhet të jap sqarim lidhur me këtë.

“Nuk kam informacione se përse punimet janë ndaluar nga kompania. Lidhur me këtë çështje është përgjegjëse Ministria e Punëve të Brendshme”.

Më 2 shkurt, Qeveria ka mbajtur mbledhje elektronike dhe ka marr vendim për shpronësimin e dy pronave në Veri të Kosovës.

“Autorizohet Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për kryerjen e punëve përgatitore për përcaktimin e përshtatshmërisë potenciale të një ose më shumë parcelave të pronës së paluajtshme për realizimin e ‘’Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’’, Zonat Kadastrale: Dren dhe Leshak, Komuna Leposaviq”.

Në vendimin e dytë thuhej se duhet të shqyrtohet kërkesa me vetiniciativë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik.

“Zonat Kadastrale Bistricë e Shalës, Bregu i Madh, Dren, Leshak  dhe Koshtovë, Komuna Leposaviq dhe Zonat Kadastrale: Bërnjak, Zubin Potok, Banjë dhe Jasenovik i Epërm, Komuna Zubin Potok.”.

Ndryshe, banorët e fshatit Dren, afër Leposaviqit, kishin protestuar, pasi siç thanë ata, vendimin e paligjshëm të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e disa tokave me interes publik në zonat kadastrale në Dren dhe Leshak.

Edhe drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, Oliver Ivanoviç, ka thënë se ka biseduar me Emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe se i është ankuar kinse “kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti sërish po shkakton kriza me lëvizje të njëanshme në dëm të popullit serb”, ka pretenduar ai.

Edhe, kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç u dërgoi një letër proteste ambasdorëve të QUINTIT, për shkak të shpronësimit të “paligjshëm” të tokave.

Në letrën që ka dërguar Rakiç thuhej se ka shkelje të rregullave ligjore që rregullojnë çështjen e shpronësimit dhe se kjo procedurë është e papranueshme për pronarët e patundshmërive dhe popullin serb që jeton në Veri të Kosovës dhe se këto lëvizje të njëanshme janë “dhunë institucionale dhe zhvatje e tokave serbe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore