Shqipëria

Ndërprerja e shërbimeve në Onkologji – Shqipëria pranon pacientët nga Kosova


Klinika e Onkologjisë.

Pacientët e Kosovës të cilët trajtohen me radioterapi, do të mund ta vazhdojnë këtë trajtim në Shqipëri.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Kjo për arsyeje se që nga 6 korriku, pajisjet për radioterapi në Kosovë janë jashtë funksionit, si pasojë e reshjeve të shiut është përmbytur bodrumi i Klinikës së Onkologjisë.

“Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letër.

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri Orgeta Manastirliu dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri, Orgeta Manastirliu është shprehur se Shqipëria do të gjendet pranë Kosovës.

“Në letrën e ministres Manastirliu, thuhet se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen për situatën e krijuar në Klinikën e Onkologjike të Shërbimit Spitalor të Kosovës, dhe gjendemi pranë në këtë situatë të krijuar si pasojë e kushteve atmosferike”, është thënë në njoftimin e MSH-së.

Të mërkurën, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), ka bërë të ditur se pacientët e planifikuar për radioterapi nuk do të mund ta marrin këtë shërbim.Kjo për arsyeje se reshjet e shumta atmosferike kanë depërtuar në bodrumin e kësaj klinike, duke e bërë kështu të dal jashtë funksionit gjithë aperaturën e radioterapisë.

“Ekipet e Klinikës së Onkologjisë, bashkë me sektorin teknik dhe atë të pajisjeve mjekësore të SHSKUK-së, kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme duke shkyçur nga puna aparaturën e radioterapisë, me qëllim të parandalimit të pasojave të pa paparashikueshme”, thuhet në njoftim e SHSKUK-së.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.

Brenda 24 orësh, aty marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore