Shqipëria

Ndërkombëtarët “krah për krah” me rininë shqiptare


Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE), Luigi Soreca, të enjten e 12 gushtit ka uruar të rinjtë në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.

Përmes një postimi në median sociale Twitter, Soreca u ka bërë thirrje të rinjve shqiptarë “që të përdorin potencialin e tyre për të bërë ndryshimin në komunitetin, shkollën dhe jetën tuaj”.

Ndër të tjera, ambasadori ka shprehur dhe gatishmërinë për t’i përkrahur të rinjtë në aktivizimin e tyre.

Ndërsa Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) e ka festuar këtë ditë me 18  studentët shqiptarë, të cilët janë pjesë e programit të Shkëmbimit dhe Studimit për të Rinjtë Kennedy-Lugar.

Sipas njoftimit zyrtar të Ambasadës, zëvendës-shefja e Marrëdhënieve me Publikun, Amanda Roberson dhe ekipi ynë i Marrëdhënieve me Publikun iu bashkuan studentëve, të cilët ndanë emocionet e tyre për këtë rrugëtim të ri si “ambasadorë rinorë” të vendit të tyre në Shtetet e Bashkuara.

Data 12 gusht shënon Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, e cila u vendos nga Kombet e Bashkuara në vitin 1999, me miratimin e rezolutës 54/120.

Kjo u mendua si një mundësi për qeveritë dhe të tjerët për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve rinore në mbarë botën.

Koncerte, seminare, ngjarje kulturore, që përfshijnë takime kombëtare, lokale, qeveritare zhvillohen në botë, në nder të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore