Shqipëria

Ndërkombëtarët bëjnë thirrje për pjesëmarrje në votime


Faktorët ndërkombëtarë në Shqipëri kanë bërë thirrje të qartë për pjesëmarrje në votime, duke e cilësuar 14 majin si një mundësi e vetme në katër vjet, për të zgjedhur organet e qeverisjes vendore.

Nga prania e OSBE-së në Shqipëri, është bërë thirrje për të nxitur qytetarët të dalin në zgjedhje.

“Ka mbi 200 të diela në 4 vjet, por vetëm 1 për të vendosur për të ardhmen e qytetit apo fshatit tënd. Bëhu pjesë e festës së demokracisë, duke ushtruar të drejtën dhe detyrën tënde qytetare më 14 maj. Çdo votë vlen! Shko voto! Bëje zërin tënd të dëgjohet!”, shkruhet në njoftimin e pranisë së OSBE-së, e cila do të ketë vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë në gjithë vendin.

Thirrje është bërë edhe nga radhët e Ambasadës Amerikane, duke theksuar se zgjedhjet duhet të jenë transparente dhe të lira.

Zgjedhjet duhet të jenë transparente dhe të lira, thotë Ambasada amerikane

“Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë që zgjedhjet të jenë transparente, të lira dhe të sigurta. Ashtu si në procese të mëparshme, përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë nga ambasada e SHBA do të udhëtojnë përreth vendit si vëzhgues në zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë”.

Në njoftim ravijëzohet se drejtuesit e partive patën detyrimin të propozojnë kandidatë të pastër, të denjë për të përfaqësuar popullin shqiptar dhe tani vendimi duhet të jetë në dorën e qytetarëve.

Nga ana tjetër, ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf, ka bërë thirrje për qytetarët, që të mos neglizhojnë procesin e rëndësishëm.

Ambasadori gjerman: Zgjedhjet janë tregues për progresin e Shqipërisë

“Zgjedhjet vendore ditën e diel janë jo vetëm një gur kilometrazhi i rëndësishëm për vetë Shqipërinë, por edhe një tregues për progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Me votën tuaj ju mund t’i jepni formë të ardhmes së Shqipërisë dhe të forconi më tej demokracinë e saj”.

Ndaj, sipas tij zgjedhjet duhet të jenë të drejta dhe transparente.

“Kjo përbën bazën e demokracisë. Ndaj dua t’u them në mënyrë të veçantë të rinjve në vend: Informohuni, shkoni në zgjedhje, merrni pjesë në procesin demokratik, jepuani votën tuaj kandidatëve me integritet, refuzoni të gjitha përpjekjet për manipulim dhe mungesë transparence”.

Ai theksoi se Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë Shqipërinë si “një partner i fuqishëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore