Shqipëria

Ambasadori gjerman: Zgjedhjet janë tregues për progresin e Shqipërisë


Ambasadori i Gjermanisë Peter Zingraf ka reaguar lidhur me zgjedhjet vendore që do të mbahen më 14 majit.

Në mesazhin e tij, Zingraf u bëri thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë këtë proces të rëndësishëm por t’i drejtohen kutive të votimit dhe të shfrytëzojnë të drejtën qytetare.

“Zgjedhjet vendore ditën e diel janë jo vetëm një gur kilometrazhi i rëndësishëm për vetë Shqipërinë, por edhe një tregues për progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Me votën tuaj ju mund t’i jepni formë të ardhmes së Shqipërisë dhe të forconi më tej demokracinë e saj”.

Ndaj, sipas tij zgjedhjet duhet të jenë të drejta dhe transparente.

“Kjo përbën bazën e demokracisë. Ndaj dua t’u them në mënyrë të veçantë të rinjve në vend: Informohuni, shkoni në zgjedhje, merrni pjesë në procesin demokratik, jepuani votën tuaj kandidatëve me integritet, refuzoni të gjitha përpjekjet për manipulim dhe mungesë transparence”.

Ai theksoi se Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë Shqipërinë si “një partner i fuqishëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore