Lajme

Ndër evropianë, ndryshimet klimatike shihen si ‘problem serioz’


Pandemia e COVID-19 nuk i ka frenuar evropianët të mbeten në shqetësim për ndryshimet klimatike.

Madje, nuk ngurojnë të mbështesin aksionet e ndërmarra në të gjithë Bashkimin Evropian lidhur me trajtimin e fenomenit.

Të paktën, kështu ka rezultuar nga gjetjet e sondazhit të fundit të vitit 2021 të Eurobarometrit nga Komisioni Evropian.

Gjetjet kryesore të sondazhit

Prej të dhënave ka dalë se qytetarët evropianë e identifikojnë ndryshimin e klimës si problemin e vetëm më serioz me të cilin po përballet bota.

“Mbi një e katërta e evropianëve (29%) zgjodhën ose ndryshimin e klimës (18%), përkeqësimin e natyrës (7%) ose problemet shëndetësore për shkak të ndotjes (4%), si problemin e vetëm më serioz me të cilin përballemi”, shkruhet në faqen zyrtare të komisionit.

Përqindja nuk ka dallim shumë të madh edhe mes atyre qytetarëve evropianë që e shohin fenomenin si shqetësues apo tejet shqetësues.

“93 për qind e qytetarëve të BE-së e shohin ndryshimin e klimës si një problem serioz dhe 78 për qind e shohin atë si një problem shumë serioz”, ka nxjerrë raporti.

Nga ana tjetër, 90 për qind e të anketuarve pajtohen që emetimet e gazrave serë duhet të reduktohen në minimum, duke kompensuar emetimet e mbetura.

Kjo, si një ndihmesë që ekonomia e BE-së të jetë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050.

Sipas raportit, 87 për qind prej tyre mendojnë se BE-ja duhet të vendosë objektiva ambiciozë për të rritur energjinë e rinovueshme dhe për të mbështetur efikasitetin e energjisë.

Dhe janë po të së njëjtës përqindje. Ata që pajtohen se trajtimi i ndryshimeve klimatike duhet të jetë një përparësi për të përmirësuar shëndetin publik.

“92 për qind e të anketuarve mendojnë se është e rëndësishme që qeveria e tyre të vendosë objektiva ambiciozë për të rritur sasinë e energjisë së rinovueshme të përdorur”, thuhet në raport.

Njëherazi, 75 për qind e tyre mendojnë se qeveritë e tyre nuk janë duke bërë mjaftueshëm për të trajtuar ndryshimet klimatike.

I shumtë është edhe numri i atyre që i mëshojnë financimit drejt energjisë së pastër.

Referuar gjetjeve, “81 për qind besojnë se duhet t’i jepet më shumë mbështetje financiare publike kalimit në energji të pastër edhe nëse kjo nënkupton zvogëlimin e subvencioneve për karburantet fosile”.

Rritja e ekonomisë dhe vendeve të punës

Investimi në ekonominë e gjelbër shihet me përparësi ndër evropianë.

“75 për qind e evropianëve pajtohen që fondet nga plani i rimëkëmbjes ekonomike duhet të investohen në ekonominë e re të gjelbër”, tregon raporti.

Për ta, promovimi i ekspertizës së BE-së në teknologjitë e pastra në vendet jashtë BE-së mund të sjellë përfitime dhe se marrja e masave për ndryshimin e klimës do t’i bëjë kompanitë e BE-së më inovative dhe konkurruese.

Ndërkaq, shumica prej tyre bie dakord se reduktimi i importeve të karburanteve fosile nga jashtë BE-së mund të rrisë sigurinë e energjisë.

Aksioni publik i evropianëve

Jo pak, por 96 për qind e të anketuarve kanë ndërmarrë të paktën një veprim specifik për të luftuar ndryshimet klimatike.

Kjo, veçanërisht në reduktimin dhe riciklimin e mbeturinave dhe uljen e konsumit të artikujve të disponueshëm sa herë që është e mundur.

Dhe, thuajse një e treta kanë ndërmarrë veprime, duke rregulluar zakonet e tyre dietetike, veçanërisht duke blerë dhe ngrënë më shumë ushqim organik dhe më pak mish.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore