Kosova

Një serbi me shtetësi malazeze i konfiskohen mbishkrime që nxisin përçarje dhe një uniformë ushtarake në Bërnjak


Një serb me nënshtetësi malazeze është arrestuar në pikëkalimin kufitar në Bërnjak të shtunën pasi gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur dhe konfiskuar tabelë metalike dhe një uniformë ushtarake me mbishkrime përçarëse.

“Është arrestuar i dyshuari serb, shtetas i Malit të Zi, pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij janë gjetur dhe konfiskuar: një tabelë metalike me mbishkrim, një duks me mbishkrim, ndërresa po ashtu me mbishkrime të ndryshme që nxisin përçarje dhe një uniformë ushtarake”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Ndërsa në cilësi të dëshmitarit është intervistuar edhe shoqëruesi i të dyshuarit në veturë mashkull serb, shtetas i Malit të Zi.

“Të njëjtit pas inicimit të rastit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt hetimore”.

Bërnjaku, një prej pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo pikë ishte hapur për qarkullim më 4 tetor, pasi bashkë me Jarinjën ishin mbyllur për qarkullim më 24 shtator, pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Më 29 shtator, krimineli Milan Radoiçiç e ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe sulmin dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Më pas Radoiçiç është arrestuar nga autoritet serbe, por pa i kaluar as 24-orë është liruar nga paraburgimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore