Kosova

Hoti thotë se Kurti ka kërkuar takim me liderët e partive opozitare


Ilustrim: Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ka konfirmuar raportimet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, ka kërkuar takim me liderët e partive opozitare.

Kurti, sipas Hotit, po kërkon koordinim me opozitën për agjendën e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës.

“Por, sjellja e tij bashkë me grupin VV-Guxo ndaj institucionit të Kuvendit dhe opozitës gjatë këtij mandati e ka cenuar demokracinë parlamentare në Kosovë”, ka shkruar Hoti.

Për këtë konstatim të tij, Hoti ka cituar edhe të gjeturat e raportit Instituti të Kosovës për Drejtësi nga monitorimi i Kuvendit të Kosovës, të cilat, sipas tij, janë shqetësuese për rendin demokratik.

“Mungesë transparence në vendime dhe nxjerrje të ligjeve, vendime kundërkushtetuese e kundërligjore, moszbatim i rregullores së punës, Kuvendit iu ka pamundësuar të kërkojë llogari nga Qeveria, mazhoranca ka pamundësuar kuorumin dhe i ka dështuat seancat dhe komisionet hetimore, Qeveria nuk është përgjigjur në pyetjet e deputetëve dhe nuk ka marrë pjesë në seanca të jashtëzakonshme, e shumë gjetje të tjera”, ka shtuar Hoti.

Mediat në Kosovës raportuan të premten se Kurti, i ka ftuar në një darkë pune liderët e tri partive parlamentare opozitare për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.

Në letrën të cilën Kurti ia ka dërguar liderëve opozitar theksohet se se takimi është paraparë të mbahet të hënën më 13 maj në orën 18:30 në një nga hotelet e kryeqytetit.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen.

Albanian Post gjatë ditës ka tentuar t’i kontaktojë të tri partitë opozitare, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka arritur të marrë përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore