Lajme

Ndalimi i Dinarit, Kurti: Jemi në rrugë të mbarë, në Veri po paguhet me euro


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur se Banka Qendrore e Kosovës është institucion i pavarur dhe se Qeveria e Kosovës e mbështetë rregulloren e saj e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, gjë që përkeqësoi raportet e Kosovës me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për çështjen e euros si e vetmja valutë si mjetë pagese në Kosovë prin BQK-ja, ajo e ka marrë vendimin për rregulloren e re, ajo e ka bërë planin tre mujor të tranzicionit me 10 hapa ne do ta mbështesim këtë plan”, tha Kurti në deklaratë për media.

Kurti ka siguruar qytetarët se Kosova me rregulloren e re të BQK-së është në rrugë të mbarë dhe se tashmë është e qartë se paralajmërimet apokaliptike të Beogradit për këtë çështje nuk qëndrojnë.

“Praktikisht nuk ka incidente në terren. Në Veri të Kosovës nëpër lokale të ndryshme paguhet me euro. Ne nuk jemi për t’ua ndalur ndihmat që ju vinë edhe nga Serbia, por nëse ato dërgohen në dinar duhet të konvertohen në euro në Kosovë”.

Një cikël i gjatë negociatash në Bruksel të Belgjikës për dinarin përfundoi – sërish – pa marrëveshje. Në takimet që u zhvilluan ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi e Petar Petkoviç – dhe Emisarit Special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, palët nuk gjetën gjuhë të përbashkët.

Kyenegociatori i Kosovës pas takimit njoftoi para gazetarëve se asnjë marrëveshje për dinarin nuk është arritur, posaçërisht sepse palët janë ende shumë larg njëra-tjetrës, derisa shtoi se ka nevojë edhe për një takim tjetër javën që vjen në nivel të kryenegociatorëve për të njëjtën temë.

Në anën tjetër kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, pas takimit akuzoi palën kosovare se nuk është e gatshme për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Megjithatë, Petkoviç theksoi se Serbia do të vazhdojë të negociojë për të ruajtur paqen dhe popullin serb në Kosovë të cilit sipas tij “po i shkelen të drejtat e njeriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore