Lajme

Ndahen 700 mijë euro për zyrtarët policorë


Qeveria e Kosovës ka ndarë 700 mijë euro për zyrtarët Policorë të Kosovës.

Këto para janë ndarë nga buxheti për rimëkëmbje ekonomike, për muajin shkurt dhe mars të këti viti.

Ky vendim u morr në mbldhjen e 65-të të Qeverisë e cila u mbajt të enjten.

Valbona Kamberi, Kryetare e Sindikatës së Policisë, tregon për Albanian Post se ka qenë kërkesë e Sindikatës së Policisë së Kosovës të ndahen mjete financiare edhe për pjesën shtesë që nuk është përfshirë në vitin e kaluar e as në muajin janar.

“Është kërkuar që të ndahet edhe një pjesë shtesë e mjeteve në mënyrë që të përfshihen të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – që nga stafi civil dhe ajo unfiroma, deri tek punëtorët teknik në kuadër të Policisë”.

Ajo thotë se në mënyrë që anëtarët e Policisë së Kosovës të mos bëjnë protestë, është arritur kjo marrëveshje në mes të Ministrisë së Financave dhe Kryeministrit që të paguhet pjesa shtesë e pjesëtarëve të policisë që nuk kanë qenë të përfshirë në vitin e kaluar e as në muajin janar.

“Gjatë muajit të kaluar janë përfshirë rreth 6 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë në detyrë në terren, por nuk janë përfshirë edhe 3500 pjesëtarë të tjerë”, thotë Kamberi.

Qeveria ka marrë këtë vendimin në bazë të kërkesave të Sindikatës së Policisë në mënyrë që të gjithë pjesëtarët të trajtohen në mënyrë të barabartë.

Kamberi tregon se në koston e parë që ka ndarë qeveria janë përfshirë 1.6 milion euro për shtesat emergjente.

Në kuadër të fondit për rimëkëmbje ekonomike, Qeveria do të ndajë edhe 180 mijë euro për zjarrfikësit, 78 mijë euro për punëtorët në qendra sociale,

për profesionistët shëndetësorë 100 mijë euro, për punëtorët teknikë për shërbimin e pastrimit dhe sigurimin e institucioneve shëndetësore 160 mijë euro.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore