Lajme

NASA formon ekip të pavarur për studimin e pamjeve të pashpjegueshme të UFO-ve


NASA po fillon një studim mbi Objektet e Paidentifikuara Fluturuese (UFO) si pjesë e një shtytje të re drejt shkencës me rrezik të lartë dhe me ndikim të lartë.

Agjencia hapësinore të enjten njoftoi se po krijonte një ekip të pavarur për të parë se sa informacion është i disponueshëm publikisht për këtë çështje dhe sa më shumë nevojiten për të kuptuar pamjet e pashpjegueshme.

Ekspertët do të shqyrtojnë gjithashtu mënyrën më të mirë për të përdorur të gjithë këtë informacion në të ardhmen.

Shefi i misionit shkencor të NASA-s, Thomas Zurbuchen, pranoi se komuniteti shkencor tradicional mund ta shohë NASA-n si “të pabesueshme” për t’u futur në tema të diskutueshme, por ai nuk pajtohet plotësisht.

“Ne nuk po i shmangemi rrezikut të reputacionit”, tha Zurbuchen gjatë një transmetimi në internet të Akademisë Kombëtare të Shkencave.

“Besimi ynë i fortë është se sfida më e madhe e këtyre fenomeneve është një fushë e varfër me fakte dhe të dhëna”.

NASA e konsideron këtë një hap të parë në përpjekjen për të shpjeguar pamjet misterioze në qiell të njohura si UAP, ose fenomene ajrore të paidentifikuara.

Studimi do fillojë këtë vjeshtë dhe do të zgjasë nëntë muaj, duke kushtuar jo më shumë se 100 mijë dollarë.

Ai do të jetë tërësisht i hapur, pa përdorur të dhëna të klasifikuara ushtarake.

NASA njoftoi se ekipi do të udhëhiqet nga astrofizikani David Spergel, president i Fondacionit Simons për avancimin e kërkimit shkencor.

Në një konferencë shtypi, Spergel tha se i vetmi nocion i paramenduar që hyn në studim është se UAP-ët, ndoshta, do të kenë shpjegime të shumta.

“Ne duhet t’u qasemi të gjitha këtyre pyetjeve me një ndjenjë përulësie”, tha Spergel.

“Pjesën më të madhe të karrierës sime e kalova si kozmolog. Mund t’ju them se nuk e dimë se çfarë përbën 95% të universit. Pra, ka gjëra që ne nuk i kuptojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore