Sport

Napoli është afër transferimit të mbrojtësit japonez


Napoli është afër marrëveshjes me Borussia Moenchengladbach për transferimin e qendërmbrojtësit japonez, Ko Itakura, sipas raportimeve nga “Sky Sport Gjermania”.

“Sky Sport”, i cili ka transmetuar përditësimin të dielën pasdite, sugjeron që dy klubet e vlerësojnë Itakura-n paksa ndryshe, por tani është një diferencë e vogël mes kërkesës dhe ofertës.

Sipas burimit të lartcekur, Gladbach beson se 26-vjeçari vlen rreth 15 milionë euro, ndërsa Napoli shpreson të arrijë një marrëveshje për një tarifë afër 12 milionë euro.

Nënshkrimi i Itakura-s do shihet si një zëvendësim për qendërmbrojtësin jug-korean, Kim Min-jae, i cili iu bashkua Bayern Munich-ut për një trasnferim prej 50 milionë euro.

Pra, me shumë gjasë, japonezi do të jetë partneri i Amir Rrahmanit në qendrën e mbrojtjes te kampionët e Italisë.

Pas suksesit që Kim përjetoi në Napoli, drejtuesit e klubit kanë qenë të interesuar të sjellin më shumë lojtarë aziatikë në “Stadio Maradona”, me emra të tillë si Takefusa Kubo dhe Daichi Kamada që janë sugjeruar gjithashtu javët e fundit.

Itakura ka grumbulluar mjaft përvojë në Bundesliga gjatë dy sezoneve të fundit, si dhe me kombëtaren e Japonisë, për të cilën ka luajtur 20 herë.

Nënshkrimi i tij do të ishte gjithashtu shumë më i lirë se disa nga emrat e tjerë të sugjeruar si Max Kilman i Wolves dhe Robin Le Normand i Real Sociedad.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore