Shqipëria

Nano pezullon policen Anisa Kostani për fyerjen ndaj gazetarëve, nis hetimi disiplinor


Drejtori i Policisë, Geldis Nano, ka pezulluar oficeren e policisë në Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Anisa Kostani.

Kjo pasi Kostani, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka fyer gazetarët, me pretendimin se gazetarët po përbaltin punën e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.

Përveç pezullimit të saj të menjëhershëm, Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të nisur hetimin disiplinor ndaj saj.

Këtë, për shkelje të rëndë të Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 750 datë 16.09.2015, konkretisht të nenit 209, pika 1 “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të policisë pa ndonjë arsye bindëse, nuk i përmbush apo dështon në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të caktuara, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në kryerjen e detyrave”.

“Sqarojmë opinionin publik se mendimet dhe opinionet personale të punonjësve të Policisë nuk përfaqësojnë në asnjë rrethanë, mendimet dhe opinionet e organizatës së Policisë së Shtetit, e cila ka një sektor të posaçëm, përmes të cilit komunikon zyrtarisht me median dhe publikun”, thuhet te njoftimi.

Dhe se Policia e Shtetit është e vendosur për të krijuar një marrëdhënie partneriteti dhe oponence me median, bazuar në respektin reciprok dhe në të vërtetën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore