Lajme

Nagavci: Cilësia në arsim mbetet sfiduese


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, ka diskutuar në detaje për punën që është bërë në sistemin e arsimit në të gjitha nivelet.

Ajo ka thënë se cilësia në arsim mbetet sfiduese, por përmend rritjen e buxhetit për 10 milionë euro si masë për arritjen e objektivave.

“Cilësia në arsim është shumë sfiduese. Në lidhje me buxhetin, na është rritur për 10 milionë euro buxheti për vitin e ardhshëm, 5 milionë do të jenë investime në ndërtimin e çerdheve të reja”.

Nagavci u shpreh se është evidentuar përparim i dukshëm, duke filluar nga ofrimi i mundësive të barabarta për qasje në arsim.

“Atë çfarë kemi parasysh është përmirësimi i gjendjes dhe do të ndalem prej komenteve në lidhje me zhvillime pozitive rreth përmirësimit në edukimin primar. Është përmendur edhe për progresin në lidhje me arsimin e lartë. Përmendet që ka qenë një hap i mirë, zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Cilësisë. Janë përmendur edhe organizimi trajnimeve për fëmijë me nevoja të veçanta”.

Ajo ka folur në detaje edhe për punën e bërë në sistemin e arsimit në të gjitha nivelet.

“Një hap i mirë është edhe ofrimi i mundësive të barabarta të gjithë fëmijëve për qasje në arsim. ERA 2 ka prioritet përmirësimin e cilësisë së arsimit. Kemi dërguar tekstet për shkolla fillore. Janë siguruar edhe tekste alternative”.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian.

Nagavci, ka treguar se më 25 tetor do të hapet zyra e re për mbështetjen e studentëve me bursa.

“Këtë vit janë më shumë se 3 milionë euro për tekste. Ne kemi paraparë punësimin e 100 asistentëve për vitin 2022. Është ndarë buxheti për punësimin e asistentëve. Jemi duke punuar edhe për implementimin e mësimit dual”.

“Sa i përket zbatimi të MSA-së janë udhëzimi administrativ, për transferim e teknologjisë dhe dijes, Projektligjin për arsimin e lartë dhe për akreditim. Sa i përket zbatimit të agjendës evropiane janë përmirësimin i cilësisë në sektorin e arsimit”.

Ndërsa, anëtarja e komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra tha se raporti për vendin vë në pah pak progres në arsim.

“Raporti i Progresit gjen se në fushën e arsimit është bërë pak progres. 4.7% janë shpenzime publike për arsim. Shpenzimet për studentë janë të pamjaftueshme dhe mungon tekstet shkollore edukative. U përmend që tekstet blihen nga prindërit. Sa çerdhe keni ndërtuar.

Deliu-Kodra, ka pyetur për planin e ministrisë për ngritjen e cilësisë duke thënë se 10 mijë fëmijë nuk janë përfshirë në mësimin në distancë.

“Në fushën e kërkimeve shkencore Kosova është në fazën e hershme të zhvillimit. 10 mijë fëmijë nuk janë përfshirë në mësimin në distancë nga fëmijë që janë nga familje të varfra. Kanë mbetur 2.8% e fëmijëve që nuk janë përfshirë në mësimin online. A ka plan ministria për të ngritur cilësinë e arsimit në Kosovë. Librat janë vonuar shumë dhe nxënësit kanë mbetur pa tekste shkollore. Pse ka pasur vonesa”.

Kujtojmë se të gjithë nxënësit të cilët ndjekin mësimet në klasën e gjashtë, shtatë, tetë dhe nëntë janë përballur me mungesën e teksteve shkollore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore