Lajme

Mungojnë librat shkollorë, Ministria e Arsimit ua hedh fajin Drejtorive Komunale të Arsimit


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagqavci

Të gjithë nxënësit të cilët ndjekin mësimet në klasën e gjashtë, shtatë, tetë dhe nëntë nuk kanë tekste shkollore.

Albanian Post ka pyetur Ministrinë e Arsimit në Kosovë, e cila ka zgjedhur që përgjigjet këtyre pyetjeve t’i kthej përmes publikimit në facebook.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në llogarinë e sajë në facebook ka thënë se fajin për mungesën e teksteve shkollore për këto klasa e kanë drejtoritë komunale të arsimit.

“Andaj, ju informoj se më 15 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjitha Drejtoritë komunale të Arsimit se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin I-5 dhe për nxënësit e klasës së 8, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7 si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge”.

Ajo tutje ka shkruar se gjithashtu MASHTI i ka njoftuar DKA-të se sipas “Udhëzimit Administrativ nr.13/2016,  tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak andaj shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor”.

Postimi i Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, pas mungesës së teksteve shkollore për klasët e 6, 7,8, dhe 9.

Nagavci  ka thënë se bazuar në kërkesat që i kanë bërë komunat, MASHTI i ka kontraktuar shtëpitë botuese dhe e ka bërë shpërndarjen e  teksteve shkollore duke respektuar kërkesat që kanë ardhur nga Drejtoritë Komunale të Arsimit.

MASHTI sipas Nagavcit, nuk ka pranuar asnjë ankesë në raport me tekstet shkollore nga Drejtoritë Komunale të Arsimit.

“Pas pranimit të shqetësimeve nga ana e prindërve dhe njoftimeve nga disa mësimdhënës, kam dërguar disa komisione që të bëjnë vizita në shkolla për t’u siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nga DKA-të është realizuar në bazë të kërkesave të parapara”.

Ministrja ka thënë se gjatë vizitave nga ana e komisionit është informuar se “DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, ka shkruar ajo.

Ajo i ka bërë thirrje DKA-ve dhe shkollave që ta marrin me prioritet trajtimin e çështjes së teksteve mësimore dhe të sigurohen që të gjithë nxënësit ti kenë tekstet e të vazhdojnë procesin mësimor.

“Nëse ka pasur ndonjë mos përmbushje të obligimeve nga ana e MASHTI, ne jemi të gatshëm ti plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”, ka shkruar Nagavci.

Mirëpo, me 23 shtator Ministrja Nagavci, kishte njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e procesit mësimor dhe kthimin e sigurt të fëmijëve në shkolla, duke shtuar se shkollat “janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen”.

Postimi i Nagavcit ku thotë se janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vititi të ri shkollor

“Ministria e Arsimit bashkë me Drejtoritë e Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave, i ka bërë të gjitha përgatitjet për kthim të sigurt të fëmijëve tanë në shkolla. Përqindja e vaksinimit në mesin tonë duhet të jetë 100 për qind. Arsimi cilësor mund të ofrohet vetëm në shkolla, prandaj edhe shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen”, kishte thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore