Lajme

“Na mbante ligjërata” – Haradinaj largohet nga takimi me Kurtin


Ramush Haradinaj duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka lëshuar takimin ku ishte i ftuar të fliste rreth situatës në Veri me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Pasi doli nga objekti i Qeverisë, Haradinaj shkroi në Facebook se u detyrua ta lëshojë takimin pasi sipas tij, Kurti po mbante ligjërata e nuk po sqaronte “pse i ka prishur raportet me Amerikën”.

Sipas Haradinaj është e papranueshme që në raste të ndjeshme, të prishen raportet me aleatin kryesor të sigurisë.

Në takim me Kurtin ende gjenden kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ndryshe nga ftesa e fundit të gjithë krerët e partive opozitare kanë pranuar që të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar për situatën e krijuar në Veriun e vendit, pasi Lista Serbe ka lëshuar institucionet e Kosovës.

Kurti për situatën në Veri: Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që Serbia ia ka bërë propozimit franko-gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se situata e fundit në Veri nuk po ndodh për shkak të targave e as për arsyet të cilat janë thënë.

Kurti, theksoi se e gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të refuzimit të propozimit franko-gjerman nga Serbia.

“Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, as për suspendimin e Nenad Gjurçit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ja kanë bërë propozimit të Parisit dhe Berlinit, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe presidentin despotik Putinin dhe për ata po i përdorin serbët të cilët vazhdojnë t’i dëgjojnë akoma në Republikën e Kosovës pra pjesëtaret e ndryshëm të strukturave ilegale”.

“Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarë do marrëveshje dhe rruga që e ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet ilegale në veri të Vendit për kërcënimin e qytetarëve dhe sigurisë në vendin tonë kjo rrugë nuk është e paqes dhe as e ndërtimit”.

Ndërtimi i ngjarjes

“Lista Serbe” vendosi të shtunën e 5 nëntorit që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.

Kjo, pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.

Kryetari i Listës Serbe (njëkohësisht ministri për Komunitete dhe Kthim), Goran Rakiç, u dorëhoq nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.

Edhe Igor Simiç, i cili është deputet në radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe Policia.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, theksoi Rakiç pas takimit.

Në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore