Lajme

Myanmar: Stafi i bamirësisë zhduket pas ‘sulmit të ushtrisë’


Organizata ndërkombëtare e bamirësisë, Save the Children, ka bërë me dije se dy persona nga stafi i saj janë zhdukur në Myanmar pasi më shumë se 30 trupa u gjetën pas një sulmi për të cilin fajësohej ushtria.

Trupat i detyruan njerëzit të zbresin nga makinat e tyre, arrestuan disa, vranë të tjerë dhe dogjën trupat e tyre në shtetin lindor Kayah, thotë organizata.

Fëmijë dhe gra besohet të jenë në mesin e viktimave të incidentit të së premtes.

Ushtria thotë se vrau një numër terroristësh të armatosur në zonë.

Protestat masive janë zhvilluar në të gjithë Myanmar-in që kur ushtria mori kontrollin në shkurt.

Udhëheqësja e zgjedhur Aung San Suu Kyi dhe anëtarët e partisë së saj Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD) janë mes të arrestuarve.

Qindra njerëz, duke përfshirë fëmijë, janë vrarë.

Në një deklaratë të shtunën, Save the Children dënoi sulmin, i cili tha se la të paktën 38 njerëz të vdekur.

Organizata tha se dy anëtarë të stafit që udhëtonin në shtëpi për pushime pas punës humanitare u kapën në incident dhe rezultojnë të zhdukur.

“Ne kemi konfirmim se automjeti i tyre privat është sulmuar dhe djegur”.

“Ne jemi të tmerruar nga dhuna e kryer kundër civilëve të pafajshëm dhe stafit tonë, të cilët janë humanitarë të përkushtuar, duke mbështetur miliona fëmijë në nevojë në të gjithë Myanmar-in”, shtoi shefja ekzekutive e Save the Children, Inger Ashing.

Ajo tha se hetimet për ngjarjen po vazhdojnë.

Fotot që tregojnë pasojat e sulmit të supozuar në qytezën Hpruso janë shfaqur ku tregohen mbetjet e djegura të automjeteve.

Forca e Mbrojtjes Kombëtare Karenni, një nga milicitë më të mëdha që kundërshtojnë juntën, tha se të vdekurit nuk ishin anëtarë të milicisë, por civilë që kërkonin strehim nga konflikti.

“Ne ishim aq të tronditur kur pamë se të gjithë trupat e pajetë ishin të moshave të ndryshme, duke përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar”, tha një komandant i grupit për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Një zëdhënës i ushtrisë së Myanmar-it tha se luftimet kishin shpërthyer në Hpruso të premten pasi trupat e saj u përpoqën të ndalonin shtatë makina që lëviznin në një “mënyrë të dyshimtë”, sipas AFP.

Trupat kishin vrarë një numër njerëzish në përleshjen që pasoi, tha zëdhënësi Zaw Min Tun për agjencinë e lajmeve, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore