Lajme

MV/Qeveria dënon ashpër dhunën ndaj gazetarëve në protestë


Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjatë ditës së shtunë, më 27 shkurt, ka deklaruar se i dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve që ndodhën gjatë protestës për rastin “Monstra”.

“Në shoqëritë demokratike, të gjithë kanë të drejtë të shprehin pakënaqësi, por incidentet e dhunshme janë të papranueshme dhe të palejueshme”.

Qeveria theksoi faktin se çdo sulm ndaj përfaqësuesve të medias, qoftë ai fizik apo verbal, do të sanksionohet ashpër.

“Institucionet në vend, si dhe prokuroria dhe gjykatat, duhet të veprojnë sa më shpejt të jetë e mundur profesionalisht për çdo sulm apo kërcënim ndaj punonjësve të medias”.

Reagim ka pasur dhe nga Shoqata e Gazetarëve dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve të Maqedonisë. Ato dënuan ashpër dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve, të cilët ndodheshin për të transmetuar informacion për protestën që po zhvillohej.

Nga protesta dyditore e rastit “Monstra” janë lënduar shtatë policë, u sulmua dhe ekipi i gazetarëve të MIA-s. Për shkak të kësaj situate, deri më tani janë arrestuar tetë protestues.

Protestat kanë nisur pas vendimit të gjykatës më 23 shkurt për rastin “Monstra”. Të akuzuarit, gjashtë shqiptarë u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë maqedonasve etnikë në vitin 2012.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore