Lajme

MV/Filipçe: Anulohet paradhënia për vaksinat nga Sinopharm


Ministri i Shëndetësisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka njoftuar më 1 mars se pagesa e paradhënies për dozat e vaksinës nga kompania kineze Sinopharm, është tërhequr. Ai ka thënë se ky veprim ka ardhur për të siguruar vendin. Priteshin 200 mijë doza vaksine nga kjo kompani.

“Duke qenë se vetë procesi zgjati më shumë sesa e planifikuam të gjithë në fillim, u kërkuan shumë dokumente shtesë, kështu që pjesa e fondeve u kthye”.

Filipçe tha se priten që në RMV të arrijnë 20-30 mijë doza vaksine nga kompania Covax, deri në fund të marsit.

Po ashtu dhe kryeministri Zoran Zaev tha se ngecja e këtij procesi ka ardhur pasi pritet konfirmimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës.

“Nuk mund të lejojmë që paratë të vazhdojnë të qëndrojnë, prandaj kemi tërhequr paradhënien derisa të marrim një përgjigje. Është çështje ditësh se kur do të mbërrijnë vaksinat. Nuk mund të themi datën e saktë kur do të mbërrijnë”.

Zaev gjithashtu tha se këto ditë pritet që Qeveria e RMV-së të bëjë një marrëveshje për furnizimin me doza vaksine nga kompania ruse “Sputnik V”.

Qeveria maqedonase është duke pritur të bëjë një marrëveshje me kompaninë e prodhimit të vaksinave “Pfizer”.

Deri më tani, RMV-së nga dhurimi i 8 mijë dozave të vaksinës nga shteti fqinj Serbia, janë vaksinuar 2 mijë e 400 punonjës të personelit shëndetësor.

Më herët Zaev kritikoi shtetet fqinje se nuk po mbajnë fjalën e dhënë në lidhje me dhurimin e vaksinave. Bullgaria dhe Greqia janë dy shtetet që i kanë premtuar doza vaksine RMV-së.

Deri më tani, në RMV kanë humbur jetën 3 mijë e 144 qytetarë maqedonas që nga shfaqja e coronavirus-it. Raste aktive në total janë 103 mijë e 20 qytetarë, të shëruar 91 mijë e 507 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore