Kulturë

Muzeu Kombëtar “Marubi”, drejt UNESCO-s!


Dosja “Marubi”, drejt UNESCO-s! Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, pas një përpjekjeje dyvjeçare, synon që brenda një viti të marrë përgjigjen pozitive për t’u njohur si trashëgimi botërore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u shpreh entuziaste dhe shpresëplotë se kjo aspiratë do të çelë dyer të reja, ndonëse i pret një sfidë përpara.

“Thjesht kemi përfunduar hartimin e dosjes. Ne besojmë fort që Shqipëria ka ende shumë për të treguar. Për ne, kjo është mbi të gjitha një ushtrim i parë i njohjes së vetvetes”, tha Margariti.

Dosja “Marubi” do të kandidojë në Memory of the World Register.

Në vijim, Margariti tha se “kjo është një pasuri e jashtëzakonshme, që nuk është vetëm krenari e Shkodrës, jo vetëm kombëtare, por që duhet t’i përkasë mbarë njerëzimit; historia dyshekullore shqiptare në celuloid”. Ajo u shpreh mirënjohëse dhe e nderuar që prezantoi këtë nismë në Shkodër.

Në fund, ministrja falënderoi përzemërsisht “grupin e punës, pranë Muzeut ‘Marubi’ e në Ministrinë e Kulturës, që çoi përpara këtë aspiratë tonën!”

Ndërkohë sipas grupit drejtues të projektit, ata kanë pasur një punë voluminoze, duke u konsultuar dhe me ekspertë vendas e të huaj. Me qëllimin e vetëm që çdo fakt i paraqitur të jetë bindës.

Drejtori i Muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni, u shpreh entuziast për projektin. “Ndihem shumë pozitiv dhe do vijë një ditë, që do të jemi këtu dhe do ta shikojmë, qytetarët do jenë këtu. Kjo është patjetër një punë që i mbetet përjetë muzeut edhe Shkodrës në tërësi”, tha ai.

Historiku i “Marubi-t”

Foto Studio “Marubbi” u themelua më 1856 në Shkodër nga piktori, skulptori dhe arkitekti, Pietro Marubbi. Kurse Fototeka Kombëtare “Marubi” do të krijohej më 1970 pas dhurimit që i bëri Gegë Marubi arkivit të tij personal prej tre brezash, me rreth 150 mijë negativë, shtetit.

Në këtë arkiv gjenden negativë nga të gjitha formatet, që nga 30 cm x 40 cm dhe deri te 6 cm x 9 cm në pllaka xhami, nga viti 1858 deri në 1959-n. Ky është një nga arkivat më të pasur të Ballkanit.

Në të mund të gjesh negativë me tema të ndryshme dhe figura të shumëllojshme, si: pashallarë, vezirë, oficerë turq dhe deri konsuj të kombësive të ndryshme, italianë, francezë, austriakë, anglezë, rusë, grekë, serbë.

Po ashtu edhe figura nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, si dhe figura shqiptarësh të rëndësishëm (Luigj Gurakuqi, Fishta, Mjeda, Asdreni, Koliqi, Lasgush Poradeci, Migjeni, Azem e Shote Galica) dhe shumë e shumë figura të tjera të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Në arkiv mund të gjesh negativë me tema nga etnografia, urbanistika, monumentet e kulturës, historia, pazari, lundrimi në Bunë etj. Gegë Marubi, i fundit i dinastisë Marubi, ishte mjeshtër i portretit dhe i peizazhit me infra të kuqe.

Ai ishte i pari që përdori këtë proces të zhvillimit të fotografisë, pasi e mësoi në Francë ku dhe kreu studimet. Këtë nismë e përkrahën dhe fotografë të tjerë shkodranë, si Shan Pici, që filloi të punonte nga viti 1924 deri në 1962-in në Lezhë.

Ai i dhuroi shtetit rreth 70 mijë negativë të formatit 18×24 deri 4×6 në pllaka xhami dhe në filma celuloidi.

Shani, siç e quante populli, ishte fotografi i Malësive. Në materialin që ai dhuroi, ka tema të ndryshme, si: peizazhi i tij i famshëm, urbanistika, etnografia, pazari, sporti e shumë tema të tjera të rëndësishme.

Dedë Jakova ishte një fotograf tjetër shkodran, i cili i dhuroi shtetit rreth 50 mijë negativë, në xham dhe celoloid, me format 10 cm x 15 cm deri 6 cm x 9 cm. Ai ishte fotografi i rinisë. Kështu e quante populli i Shkodrës.

Jakova ishte fotoreporter për kohën, duke e zhvilluar veprimtarinë e tij nga viti 1930 deri në 1959. Në fondin e tij zbulojmë një larmi temash, si: histori, etnografi, urbanistikë, teatër e shumë të tjera të rëndësishme.

Pjetër Rraboshta, që dhuroi rreth 3 mijë negative, quhet ndryshe edhe fotografi i fëmijëve dhe i manifestimeve të ndryshme që janë bërë në qytetin e Shkodrës në vitet nga 1959 deri në vitin 1975. Materiali i tij është në filma “Laika”, 24 mm x 36 mm.

Angjelin Nënshati, me bindje të plotë, do ta quanim vazhduesi i fotografëve të traditës shkodrane. Ai dhuroi rreth 250 mijë poza. Materiali i tij është i fiksuar në filma “Laika”, 24 mm x 36 mm, dhe fillon në vitin 1959 deri në vitin 1984. Në fondin e tij ka tema të ndryshme, si manifestime shkollore, arsimore, sportive, mjekësore etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore