Lajme

Muzeu i Madridit ka të drejtë të mbajë veprën e Pissarro të grabitur nga nazistët, vendos gjykata


Një gjykatë apeli në SHBA ka thënë se një muze i Madridit ka të drejtë të mbajë një pikturë të Camille Pissarro që u vodh nga nazistët nga një familje hebreje.

Një vendim ky, që vjen nga një betejë ligjore dhjetëvjeçare që ka vënë në ballë institucionin spanjoll kundër trashëgimtarëve. të refugjatëve hebrenj.

Gjykata e nëntë e Apelit e qarkut amerikan në Pasadena, Kaliforni, ka vendosur se muzeu Thyssen-Bornemisza mund të mbajë veprën impresioniste franceze të vitit 1897.

Teksa vendimi ishte unanim, një nga gjyqtarët tha në një opinion të veçantë se kishte shpresuar se Spanja do t’ia kthente vullnetarisht veprën e artit familjes.

“Ndonjëherë betimet tona të detyrës dhe vlerësimi i roleve tona të duhura si gjyqtarë të apelit kërkojnë që ne të pajtohemi në një rezultat në kundërshtim me busullën tonë morale”, ka thënë gjykatësi, Consuelo Callahan.

Për dekada, piktura, e cila përshkruan një rrugë të Parisit të mbuluar nga shiu, zbukuroi muret e shtëpive të familjes Cassirer në Berlin dhe Mynih, pasi u ble direkt nga tregtari i artit të Pissarros.

Në vitin 1939, duke u përballur me shtypjen e përshkallëzuar naziste, Lilly Cassirer Neubauer-it iu tha se vizat e daljes mund të merreshin, por me një kosto: familjes do t’i duhej të dorëzonte pikturën.

Një vlerësues i emëruar nga nazistët ofroi 360 dollarë, të paguar në një llogari të bllokuar që familja nuk ishte në gjendje të hynte.

Cassirer kaloi vite duke kërkuar, sipas trashëgimtarëve të saj.

Ajo pranoi dëmshpërblimet nga qeveria gjermane në vitin 1958, por nuk hoqi dorë nga e drejta e saj për të kërkuar kthimin e pikturës.

Piktura kishte ndryshuar duart në mënyrë të përsëritur para se të blihej nga Baron Hans Heinrich Thyssen-Bornemisza.

Në vitin 1993 ajo iu kalua Spanjës kur një fondacion jofitimprurës i mbështetur nga shteti i pagoi atij 338 milionë dollarë për pjesën më të madhe të koleksionit, për t’u instaluar në një muze që mban emrin e tij.

Në vitin 2000, nipi i Cassirer, Claude zbuloi se piktura ishte e ekspozuar në muzeun Thyssen-Bornemisza të Madridit.

Pasi Spanja hodhi poshtë kërkesën e familjes për kthimin, filloi beteja e gjatë ligjore.

Vlera e pikturës është vlerësuar në 30 milionë dollarë.

Gjykata federale e apelit tha se ligji spanjoll – i cili e përcakton pronësinë si gjashtë vjet posedim të pandërprerë – duhet të ketë përparësi kur shqyrtohet çështja e pronësisë.

Avokatët e familjes Cassirer kanë thënë në një deklaratë të përbashkët se do të kërkonin një rishikim nga një panel i qarkut të nëntë prej 11 gjyqtarësh.

Në Spanjë sakaq, vendimi i gjykatës u mirëprit nga drejtori menaxhues i muzeut.

“Është një lajm i mirë”, ka thënë Evelio Acevedo.

“Përvetësimi me mirëbesim i kësaj pune nga ky institucion është diçka që është treguar që në momentin e parë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore