Art&dizajn

Muze nënujor me fytyra njerëzore


Skulptori britanik, Jason deCaires Taylor, ka krijuar një muze nënujor në brigjet e Kanës në Francë, me gjashtë skulptura të mëdha të fytyrave njerëzore të gjysmuara.

Dezeen, faqe kushtuar dizajnit dhe arkitekturës, shkruan se muzeu nënujor është një instalim i përhershëm pranë ishullit të Sainte-Marguerite. Synimi i tij është tërheqja e më shumë njerëzve nën ujë për të eksploruar edhe jetën detare.

Dizajni i skulpturave u bë në mënyrë të atillë që të ishin të arritshme nëpërmjet zhytjes duke u pozicionuar dy dhe tre metra nën nivelin e detit.

Sipas Dezeen, prezantimi nënujor i skulpturave nxit vizitorët të tregojnë një ndjenjë të shtuar kujdesi për jetën detare duke vlerësuar më mirë vlerën që ka teksa këto mjedise janë në kërcënim të vazhdueshëm të aktivitetit njerëzor.

“Qëllimi kryesor ishte të tërheqim vëmendjen për faktin se oqeanet tona kanë nevojë për ndihmën tonë”, ka thënë Taylor.

Ai ka vazhduar se “gjatë dekadave të fundit ekologjitë detare në Mesdhe janë shkatërruar nga aktiviteti njerëzor dhe nuk është e qartë se çfarë po ndodh kur vëzhgon detin nga larg”.

Lidhur me përzgjedhjen e vendndodhjes së muzeut, ishte për shkak të thellësisë së cekët dhe ujërave të pastër që sigurojnë kushte optimale.

Vlerë e shtuar e projektit është edhe ulja e ndotjes në vendin nënujor të Kanës pasi para se të realizohej projekti, uji ishte i mbushur me mbeturina detare.

“Më pëlqeu ideja për të zëvendësuar mbeturinat detare me vepra arti duke arritur dy qëllime në të njëjtën kohë”, shtoi skulptori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore