Lajme

Mustafa: Kosova e përkushtuar për arritjen e një marrëveshje me Beogradin për njohjen e diplomave


Ragmi Mustafa

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafa është pritur në takim nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, me të cilin kanë biseduar për njohjen reciproke të diplomave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i PDSH-së, Mustafa me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për njohjen e diplomave mes të dy vendeve.

“Sipas zëvendësministrit kjo ministri por edhe Qeveria e Republikës së Kosovës janë të përkushtuar në arritjen e marrëveshjes me Beogradin zyrtar për njohjen reciproke të diplomave të arritura në gjitha nivelet e shkollimit. Kjo temë është në agjendën e Qeverisë Kurti mbase prioritare”.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafa dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci

Mustafa ka deklaruar se që nga ky vit akademik, studentët e Luginës së Preshevës nuk do të paguajnë tarifa të shkollimit në fakultetet publike në Kosovë.

“Nga ky vit akademik, studentët e Luginës nuk do të paguajnë tarifat e shkollimit si në nivelin bachelor po ashtu edhe ato në master, nënkuptohet për ata studentë që janë të regjistruar në Universitetet Publike”.

Ndërsa sa i përket teksteve shkollore për Luginën e Preshevës, ai ka thënë se do të jetë pjesë e agjendës së bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

“Agjendë tjetër e Ministrisë së Arsimit dhe qeverisë Kurti në bisedimet Prishtinë – Beograd do të jenë dhe tekstet mësimore shkollore”, ka shkruar Mustafa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore