Lajme

Murtezaj: “Frika e keqpërdorimit, arsye pse Franca është skeptike ndaj vizave për kosovarët”


Valon Murtezaj

Mundësia e keqpërdorimit të liberalizimit të vizave nga ana e kosovarëve, për ish-zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Valon Murtezaj shihet se arsyeja se pse Franca heziton ta japë dritën jeshile procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Droja franceze por edhe i vendeve të tjera është që nëse ndodh liberalizimi i vizave, a do të keqpërdoret në rrethana të caktuara nga një numër i caktuar i qytetarëve për arsye të ndryshme për të kërkuar azil në Francë apo në vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Murtezaj për Klan Kosova.

Për profesorin e diplomacisë, procesi i liberalizimit të vizave nuk ndërlidhet assesi me dialogun Kosovë-Serbi.

“Jo vetëm Franca por as vendet e tjera nuk ka evidencë që e kanë ndërlidhur procesin e dialogut me çështjen e vizave. Është qasje totalisht e gabuar dhe këtë duhet ta ketë parasysh edhe Qeveria e Kosovës që në asnjë mënyrë të mos i ndërlidhin gjërat me njëra-tjetrën. Procesi i liberalizimi të vizave është teknik”.

Robert Bosch

Ndryshe edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch për Albanian Post kishte treguar arsyen se pse Holanda po heziton ta përkrahë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas tij pretekstet se institucionet e Kosovës nuk kanë luftuar mjaftueshëm korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk janë arsyet reale se pse Holanda nuk është pro lëvizjes së lirë të kosovarëve në Bashkimin Evropian, por nga mundësia e keqpërdorimit të vizave nga vetë ata.

“Si ambasador në pension, jap mendimin tim personal, nuk flas më në emër të qeverisë holandeze, prandaj mendojë se arsyeja kryesore e hezitimit për dhënien e liberalizimit të vizave është frika se ajo do të keqpërdoret, dhe se shumë njerëz do të vijnë për të qëndruar ose ilegalisht ose si azil politik në Holandë”, kishte thënë Bosch për AP.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore