Lajme

Murati: Ligji për skemat pensionale është gati, miratohet gjatë këtij muaj


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se brenda këtij muaji pritet të miratohet projektligji i ri për skemat pensionale.

Ky projektligj do të miratohet duke u bazuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për njohjen e kontributit të punëtoreve të larguar nga puna në vitet 1990.

“Aktgjykimin në fjalë e kemi pranuar edhe ne. Normalisht që kemi filluar punën për të adresuar shqetësimet dhe konstatimet. Koha ka qenë shumë e shkurtër, nuk është se ka pasur ndonjë konsultë nga Gjykata sa i përket mundësive kohore dhe buxhetore”.

“Ne e kemi shqyrtuar dhe jemi drejt finalizimit të draftit. Jemi duke e shqyrtuar edhe bashkë me departamentin e pensioneve. Bëhet fjalë për implikim të lartë buxhetor. Në njërën nga mbledhjet e Qeverisë do te miratohet si projektligj dhe pastaj është çështja e kapaciteteve zbatuese”, ka deklaruar ai.

Ministri gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ka pohuar se gjatë këtij muaji plotësim/ndryshimi i Ligjit do të miratohet në Qeveri e pastaj do të sillet në Kuvend.

Por, kritikues ndaj Muratit u tregua deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj duke thënë se “i vjen mirë që Kushtetuesja e detyroi Qeverinë të bëjë ndryshimin në Ligjin për skemat pensionale”.

“Më vjen mirë që Kushtetuesja ju ka detyruar, pasi ju nuk keni pranuar propozimin tonë. Pse ministër keni qenë kaq të ngurtë dhe të pësojë kjo kategori dhe te mos përfshihen në skema sociale. Nuk guxojmë që çdo ligj ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese për një kokëfortësi nga Qeveria”.

“Ju e keni ditur që është diskriminues. Nuk guxojmë që vetëm Kushtetuesja te caktojë rregullat”, ka deklaruar Lekaj.

Nga ministri i Financave u tha se aktgjykimi është dërguar në Gjykatën Supreme.

“Amendamentin që keni propozuar nuk trajton kërkesat e Kushtetueses për të eliminuar të gjitha diskriminimet për të gjithë kategoritë”, ka pohuar ai.

Më 13 shtator, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, në konferencë për media është shprehur se pensionet kontributdhënës duhet t’i gëzojnë të gjithë pensionistët.

Sipas tij, duhet të ndryshohet neni siç e quajti ai “diskriminues”, 8.2 i Ligjit për skemat pensionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore