Lajme

Murati: Granti për Komuna do të jetë 742 milionë


Ministri i Financave Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se do të ndahen “742 milionë euro për komunat në vitin 2024”.

“Sot në Komisionin për Grante, nën kryesimin e Kryeministrit (Albin) Kurti, miratuam ndarjen e granteve komunale që rezulton me një buxhet komunal prej 742 milionë euro për vitin 2024”, shkroi ai në Facebook.

Ndërsa, Murati shtoi se në momentin “kur kemi marrë qeverisjen në vitin 2021, buxheti i ndarë për komunat ishte 546 milionë euro”.

“Pra, kemi gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komunat me Qeverinë Kurti”.

Ndërkaq, këtë grant ai e konsideroi si një fakt që sipas tij “e demanton çfarëdo propagande opozitare se gjoja qeveria po pengon komunat dhe po ua zvogëlon buxhetin”.

Ndryshe, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kishte reaguar ndaj Ministrisë së Financave e cila ishte duke bllokuar të hyrat vetanake të komunave nga vitet paraprake.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Rama kishte thënë se kjo është hera e parë që pushteti ndërhyn në të hyrat vetanake të komunave.

“Jam thellësisht i shqetësuar pas informatave se Ministria e Financave po bllokon bartjen e të hyrave vetanake të komunave nga vitet paraprake”.

“Është hera e parë që një qeveri tenton në mënyrë kundërkushtetuese të tjetërsojë të hyrat vetanake të komunave”, kishte shkruar Rama.

Ai tutje kishte bërë të ditur se ka paraqitur kërkesë tek personat kompetent që ato t’i kthehen komunës në formën siç ka qenë më parë.

“Si Kryetar i Kryeqytetit, i kam kërkuar me shkrim Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Financave që mjetet e mbledhura nga taksat e qytetarëve të Kryeqytetit, t’i kthehen Prishtinës ashtu siç i takojnë”.

“Janë 28.8 milion Euro të parapara për 172 projekte kapitale të Kryeqytetit për këtë vit të cilat Qeveria po ua bllokon qytetarëve të Prishtinës. Rrugë, shkolla, çerdhe, biblioteka, ujësjellës, parqe e të tjera do të mbesin pa u ndërtuar si pasojë e kësaj bllokade”.

Rama, kishte kërkuar urgjentisht nga Ministria e Financave që të mos bllokojë këtë proces.

Edhe shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, kishte thënë se deri në rregullimin e problemit për të hyrat vetanake, “AAK-ja ka marrë vendim që të mos votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare”.

“E para ka të bëjë me problemin e të hyrave vetanake për komuna, ajo që të theksova është me shumë e thjeshtë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të votoj asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk do të merr pjesë në asnjë proces të ligjeve përderisa nuk qartësohet kjo punë”, ka thënë Tahiri.

“Është plotësisht e padrejtë dhe e pakuptueshme që kur e kemi kaluar ligjin për buxhet në nenin që ka qenë amendamenti i Lidhjes Demokratike ne e kemi pasur një qëllim që të hyrat vetanake të shfrytëzohen nga komunat”.

Tahiri, tutje kishte sqaruar se përse është kaq e rëndësishme që të hyrat vetanke të jenë në shërbim të komunave.

“Nuk ka asnjë kuptim që dikush që e paguan tatimin në pronë në fshatin Dragash që është e hyrë vetanake ajo e para të kthehet në Ministrinë e Financave e pastaj ajo të shpërndahet në një fshat tjetër. Kjo është logjika nuk e di si e mendon ministri i Financave”.

Si po tenton Qeveria t’i “përvetësojë” të hollat e pashpenzuara Komunave?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore